Pranga pronarit të hotelit për plagosjen e një të riu
Arrestohet një i kërkuar për plagosje të rëndë dhe i dyshuar për vrasje në vitin 1998. Pronari i një hoteli, Urim Allushi, është prangosur, pasi gjykata ka dhënë për të masën e sigurisë "arrest me burg për plagosjen e një të riu dhe vrasjen e mbetur në tentativë të tre të tjerëve". Burimet zyrtare të policisë thanë se 35-vjeçari është kapur nga seksioni i vrasjeve, ndërkohë që vendimi i gjykatës është dhënë katër ditë më parë. Ngjarja për të cilën akuzohet i arrestuari ka ndodhur më 22 shkurt të këtij viti, ku në bashkëpunim me të afërmin e tij, Alban Allushi, kanë qëlluar ndaj katër personave. Sipas policisë, sherri ka ndodhur për parkimin e makinës. Sipas policisë, fillimisht u bë arrestimi i Alban Allushit, por nga hetimet rezultoi se personi kryesor i kësaj ngjarjeje është Urim Allushi. Arrestimi i tyre u bë pasi në datën e lartpërmendur, rreth orës 16:30, në fshatin Linzë, në parkingun e lokal "Golden Gold", pronë e shtetasve Urim dhe Agron Allushi, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri pistoletë shtetasit Saimir Suli, Alti Loshaj, Maksim Hoxha dhe Ergys Hoxha. Më tej, grupi hetimor shpjegoi se dy të arrestuarit kanë qëlluar në drejtim të katër personave pesë herë, duke tentuar vrasjen e tyre. Për pasojë është plagosur vetëm Saimir Suli, i cili u shtrua në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, 35-vjeçari i arrestuar dy ditë më parë dyshohet edhe për një tjetër ngjarje të rëndë. Krerët e policisë thanë se ai dyshohet për një vrasje në vitin 1998.