Spahiu: Koha për një sistem gjyqësor të hapur
Gjatë një ceremonie përuruese, ku ishin të pranishëm ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, John L. Withers II; zëvendësambasadorja e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Renate Herrmanns; nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Kreshnik Spahiu; ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj; gjyqtarë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe gazetarë, u çel për herë të parë Zyra e Informimit Publik në mjediset e Gjykatës së Apelit në Gjirokastër, një projekt i përbashkët i USAID dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Withers vlerësoi ndërhyrje të tilla që, sipas tij, megjithëse relativisht të vogla, janë ato që sjellin një ndryshim të vërtetë si në përjetimin real të publikut, ashtu edhe në perceptimin për gjyqësorin. Ndërsa zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së, znj.Herrmanns, duke folur tha se transparenca e procedurave gjyqësore është synimi parësor i këtij projekti, ndërsa përmbushja e objektivave të këtij projekti të vogël është një bazë e mirë për të luftuar korrupsionin në gjykata dhe për të forcuar shtetin ligjor. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, tha se "rimodelimi i ambienteve në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës për Zyrën e Informimit Publik erdhi si një përpjekje e përbashkët e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, USAID-it dhe Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës". Ndërsa ministri Alibeaj nënvizoi se "Zyra e Informimit Publik do t‘u ofrojë palëve në proces, avokatëve dhe qytetarëve, një zyrë me informacion dhe ndihmë të gatshme në vend që të shkojnë në disa zyra në gjykatë". Zyra e Informimit Publik e Gjykatës do të përmirësojë marrjen e informacionit për qytetarët, do të rrisë transparencën e procedurave gjyqësore dhe do të forcojë besimin te gjykata dhe te sistemi gjyqësor shqiptar.