E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet shënojnë dy të vdekur dhe 4 të plagosur

Gjashtë aksidente me dy të vdekur dhe katër të plagosur kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që policia ka proceduar penalisht autorët. Dy nga aksidentet e rënda me nga një të vdekur kanë ndodhur në Pogradec dhe Lushnjë, ndërsa katër të tjerë në Tiranë. Autobusi i linjës Tiranë-Korçë ka aksidentuar një 46-vjeçare, e cila ka tentuar të kalojë rrugën kur është përplasur në aksin nacional Pogradec-Korçë. Burime nga policia kanë deklaruar se aksidenti ka ndodhur në orën 11:00 në këtë aks në afërsi të fshatit Çërravë të Pogradecit. Fatmira Muçollari i ka dalë përpara autobusit, shoferi është përpjekur të devijojë, por s‘ka mundur të shmangë përplasjen me 46-vjeçaren, e cila ka gjetur vdekjen. Ndërsa një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Fier. Aksidenti i ka kushtuar jetën një të moshuari, rreth 60-vjeç, i cili ende nuk është identifikuar prej policisë lokale. Ka qenë ora 19:40 kur automjeti i tipit "Mercedez Benz" me targë FR5613C, që drejtohej nga Tomor Serjani, ka përplasur burrin që udhëtonte me biçikletë.
Ndërsa në Tiranë policia tha se u arrestua Petrit Nazani, 48 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 12:00, në Rrugën e Durrësit, duke drejtuar mjetin "Benz" VAF1047, ka aksidentuar Çunam Abedinin, 70 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Gjithashtu,rreth orës 21.15, në bulevardin "Bajram Curri", nga një mjet është aksidentuar këmbësori Ferit Zhegu, 75 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Po në 24 orët e fundit filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Mondi Kapllanin, 36 vjeç, sepse rreth orës 20:30, në Rrugën e Dibrës, duke drejtuar mjetin "Benz", me targë TR5086M, ka aksidentuar Shqipe Zajmin, 62 vjeçe, e cila edhe kjo ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa për rastin e fundit policia tha se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Saimir Bakallin, 21 vjeç. Sipas policisë, ky person, rreth orës 20:15, në Yzberisht, duke drejtuar mjetin "Benz" me targë TR1403F, ka aksidentuar Fize Haskon, 74 vjeçe. E moshuara është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›