Rikthehen zhurmat e larta në ish-Bllok

TIRANË - Zhurmat e larta, të krijuara nga muzika e lokalëve të natës, janë rikthyer përsëri në disa zona të kryeqytetit, duke sjellë shqetësime tek banorët. Edhe në muajit e dimrit banorët e kryeqytetit vazhdojnë të shqetësohen nga zhurmat e krijuara nga lokalet e natës, që ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në orët e para të mëngjesit.
Edhe pse qytetarët kanë menduar që gjatë këtyre muajve të kalojnë në qetësi në shtëpitë e tyre, në shumë zona të Tiranës, lokalet me muzikën e lartë që përdorin vazhdojnë të krijojnë shqetësime për banorët, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët.
Zona e ish- Bllokut vazhdon të mbetet më problematike në Tiranë nga niveli i lartë i zhurmave. Banorët që jetojnë pranë lokaleve "Loli Pop", "Lizardi" dhe "Charls" kanë dëgjuar muzikë të lartë gjatë natës dhe sipas tyre zhurma e krijuar nga muzika dhe bisedat e klientëve ka qenë shqetësuese.
Banorët që jetojnë në rrugët "Pjetër Bogdani", "Ismail Qemali" dhe "Dëshmorët e katër shkurtit" janë shprehur se muzika e lartë në këto tre lokale është dëgjuar deri në orën katër të mëngjesit.
Zhurmat e krijuara nga këto lokale gjatë orëve të mbrëmjes dhe gjatë natës kanë shkaktuar probleme të mëdha tek qytetaret, të cilët kane kërkuar që këto të fundit të respektojnë oraret e aktivitetit të tyre të vendosura nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës. Banorët që vazhdojnë akoma të jetojnë mes zhurmës kërkojnë që të gjendet një zgjidhje për muzikën e lartë që i mban zgjuar gjithë natën.
Ato shprehen se nëse këto lokale nuk respektojnë oraret e përcaktuara për veprimtarinë e tyre do të vazhdojnë të ankohen në institucionet përgjegjësi, derisa të ketë një zgjidhje përfundimtare. Banorët thonë se shpesh kanë telefonuar si në policinë bashkiake dhe atë të rendit, ku kanë marrë një përgjigje se do të ndërhyjmë. Muzika e lartë që luhet në lokale ka bërë që banorët e zonës së ish- bllokut gjatë dy ditëve të fundit të kalojnë një natë jo të qetë.
Nisur edhe nga moti i mirë, lokalet në zonën e ish- bllokut kanë punuar pothuajse gjatë gjithë natës, ku disa prej tyre janë kthyer në shqetësim për banorët nga muzika e lartë që është luajtur në to. Por banorët shprehen se përvç muzikës shqetësohen edhe nga bisedat e larta të klientëve, që dalin të dehur nga lokalet e natës.
Sipas specialistëve, niveli i lartë i zhurmave i cili vazhdon për një kohe të gjatë në Tiranë, shkakton tek banorët nervozizëm, stres, pagjumësi dhe në disa raste edhe shurdhim. Ndotja akustike që krijohet nga niveli i lartë i zhurmave krijon probleme psikologjike dhe sociale tek personat që jetojnë në ambiente të zhurmshme.
Në verë lokalet u ndëshkuan për muzikën e lartë
Bashkia e kryeqytetit në një udhëzim të vçantë ka ndërprerë lejet 24- orëshe të lokalëve në kryeqytet. Por edhe pas këtij vendimi shumë nga lokalet e natës nuk e kanë respektuar, edhe gjatë muajve të dimrit.
Situata më alarmante ka qenë gjatë muajve të verës, ku qytetarët që jetojnë brenda unazës së kryeqytetit janë ankuar vazhdimisht për nivelin e lartë të zhurmave të krijuara nga muzika e lartë që luhet në lokalet e natës. Nisur nga ndotja akustike që kanë shkaktuar lokalet, Agjencia Rajonale e Mjedisit në
Tiranë dhe Bashkia e kryeqytetit ndëshkuan me gjoba disa lokale që krijojnë zhurma të larta deri në orët e para ët mëngjesit. Lokalet e vendosura në rrugën "Ismail Qemali" dhe "Xhurxh Bush" edhe pse u ndëshkuan me gjoba të larta, kanë vazhduar përsëri të luajnë muzikë të lartë.