E Diel, 1 Nëntor 2026

"Zhduket" në Amerikë anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni

 

TIRANE - "Zhduket" në Amerikë anëtari i Gjy-katës së Lartë, Ardian Nuni, i plagosur gjatë një atentati mbrëmjen e 8 shkurtit në Tiranë. Nuni së bashku me familjen është larguar mesjavën e kaluar me linjat ajrore, ndërsa destinacioni ka qenë SHBA-ja. Lajmi konfirmohet nga burime pranë organit të hetimit, si edhe nga banorë të cilët kanë deklaruar se nuk e kanë parë dhe se e dinë që ai ndodhet në Amerikë. Të njëjtat burime thanë për Gazetën se nuk kanë asnjë informacion në lidhje me ndonjë kërcënim të mundshëm të Nunit, pas atentatit. "Gjyqtari Nuni vizitonte shpesh Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk dihet nëse largimi i javës së kaluar kryhet në kuadrin e këtyre vizitave", - është shprehur një prej përfaqësuesve të prokurorisë, i cili nuk preferoi të prononcohej me emër. Në fakt, largimi i Nunit vështirëson hetimet për sqarimin e plotë të ngjarjes, ku ai mbeti i plagosur nga të paktën tri plumba. Edhe në rast se grupi i hetimit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda identifikon apo kap të dyshuar për ngjarjen e rëndë, në kushtet e qëndrimit të gjyqtarit Nuni në Amerikë, e bën të pamundur procedurën e ballafaqimit apo paraqitjes për njohje. Gjithsesi, të njëjtat burime thanë për Gazetën se ecuria e hetimeve nuk ka pasur përvojë të mirë bashkëpunimi mes hetuesve dhe vetë gjyqtarit Nuni. Moslejimi i procedurës së këqyrjes së telefonit dhe disa teknikave speciale të hetimit, ka krijuar në fakt një farë hendeku mes Nunit dhe hetuesve. Sipas burimeve pranë grupit të hetimit, verifikimet e kryera kanë përjashtuar pistën e "tentativë vrasjeje" për shkak të detyrës si anëtar i Gjykatës së Lartë, si dhe atë për shkak të detyrës si pedagog, ndërsa është duke u hetuar në pistat e "plagosjes për motive pronësie", "grindje e çastit" dhe "motive të dobëta".

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›