E Diel, 1 Nëntor 2026

Verifikimi i tokave, kategoritë që humbin të drejtën

05/03/2009  Vendimi saktëson procedurat që do të ndiqen në zhbllokimin e pronave nën hetim

Komisionet e verifikimit të tokave pritet të nisin punën brenda këtij muaji. Burimet kanë bërë të ditur se janë rreth 5 mijë pasuri që do të jenë në proces shqyrtimi, ku tokat në zonat turistike dhe ato brenda vijave të verdha të qyteteve do të jenë në prioritetet e punës. Ndërkohë tashmë janë përcaktuar dhe kategoritë që mund të humbasin të drejtën e pronës si pasojë e vendimeve në shkelje të ligjit nga ana e komisioneve vendore të tokave apo dhe për shkak të manipulimit të dokumenteve.

Kategoritë që preken

Vendimi i miratuar pak ditë më parë për verifikimin e titujve të pronësisë saktëson procedurën e plotë që do të ndiqet për të gjitha rastet që janë bllokuar në hipoteka apo dhe për dosjet që janë në ankimim. Kështu, familjet që mund të kenë marrë tokë më shumë se ç’u takon për frymë, apo që kanë manipuluar dokumentet e përbërjes familjare, do të preken nga rillogaritja e të dhënave, duke u hequr sipërfaqen e tepër apo duke u dhënë sipërfaqen e munguar, nëse ka pakënaqësi për mosdhënie të tokës së merituar. Ndërkohë në verifikim do të jenë dhe rastet kur një person ka përfituar tokë në vendin e lindjes, si dhe në qytetin e banimit, duke marrë tokë dy herë. Një verifikim i tillë do të ndiqet dhe për rastet kur komisionet kanë dhënë sipërfaqe toke në vende të ndryshme për familje të ndryshme.

Bashkitë

Nga ana tjetër dhe vendimet e bashkive për ndarjen e tokës truall, zonës turistike apo pyjeve, duke i konsideruar ato si bujqësore, do të jenë objekt i hetimit të komisioneve të posaçme në vend. Kështu, në rast se një komision ka ndarë tokën truall duke e cilësuar qëllimisht bujqësore, komisioni i verifikimit do t’u heqë të drejtën. Për verifikimin e këtyre të dhënave do të përdoren hartat e bashkive dhe të komunave. Ndërkohë, duke parë se tokat turistike janë me një çmim më të lartë dhe se projektet e investimeve në to janë shumë më domethënëse, do të nisë verifikimi pikërisht nga to. Kjo dhe për të mos lejuar abuzimet e mëtejshme me këto sipërfaqe të tokave.

Gjithsesi, pritet që vetëm pas botimit të vendimit në Fletoren zyrtare si dhe pas përcaktimeve të udhëzimeve të mëtejshme të nisë puna konkrete për verifikimin.

Ndërkohë veç verifikimit të shkeljeve do të nisë puna dhe për plotësimin me tokë të familjeve që nuk kanë përfituar sa duhet. Nga ana tjetër, nëse në tokën e një ish-pronari verifikohet se persona të tretë kanë përfituar padrejtësisht në shkelje të ligjit duke e bllokuar, i kthehet ish-pronarit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›