E Diel, 1 Nëntor 2026

Bunkerët, suveniri më i kërkuar nga turistët

 

GJIROKASTER - Bunkerët në miniaturë, suveniri më i kërkuar nga turistët në dyqanet e Gjirokastrës. Mesa duket ai është objekti që do t'ua kujtojë më së miri Shqipërinë turistëve të huaj. Fenomeni që është vënë re edhe në vite të tjera këtë sezon ka arritur pikun duke i kthyer bunkerët më miniaturë në vendin e parë të kryelistës së suvenireve. Qyteti i gurtë vizitohet çdo ditë nga dhjetëra turistë të ardhur nga të gjitha anët e Evropës e më gjerë duke e bërë këtë atë që të kthehet gjatë këtij viti në një qendër mjaft të frekuentuar dhe të pëlqyer. Ardhja e tyre, përveç njohjes së Gjirokastrës si një qendër turistike ka bërë të mundur edhe gjallërimin e Qafës së Pazarit, e cila prej vitesh vuante braktisjen. Në këtë pjesë të qytetit ka edhe një mbizotërim të dyqaneve të suvenireve me punime të shumta artistike, kryesisht shqiptare. Shumëllojshmëria e suvenireve i mahnit turistët, por në fund ata nuk harrojnë që veç të tjerash të kenë patjetër në çantën e tyre edhe një bunker shqiptar. "Suveniret më të tërhequra prej turistëve të huaj janë bunkerët në miniaturë, simboli i 50 viteve komunizëm dhe izolim", pohojnë tregtarët. Në forma e madhësi të ndryshme, funksionale që mund të shërbejnë si mbajtëse për stilolapsa, të thjeshtë apo me flamurin kombëtar dhe me shqiponjë ato "adhurohen" prej turistëve. "Janë objektet që tërhiqen më shumë. Turistët janë shumë të apasionuar pas të kaluarës sonë komuniste dhe bunkerët e tregojnë më së miri atë. Pothuajse të gjithë ata që hyjnë në dyqanin tonë blejnë bunkerë", është shprehur Kastriot Dhrami, njëri prej tregtarëve në zonën muzeale. Gjithashtu, një tjetër objekt mjaft i kërkuar mbetet figura e Enver Hoxhës e stampuar në gota apo filxhanë. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›