E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia liron studentin e mitingut të PS-së

Studenti fierak, Mihal Kumaraku, i cili u prangos mbrëmjen e së shtunës nga policia e Fierit për pjesëmarrjen në mitingun pranë KZAZ-së nr. 20, është liruar dje pasdite, ndonëse mbajta e tij në burg ka qenë e paligjshme. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka lëshuar për të urdhrin e lirimit, ndërkohë që policia e ka zbatuar vetëm pasdreken e së hënës. Prokurori Genci Mane, i cili po heton çështjen në fjalë, ndërsa hynte në mjediset e drejtorisë së policisë së qarkut është shprehur për gazetën "Shqip": "Ne si organ i akuzës dhe unë si prokuror i çështjes kemi lëshuar urdhrin e lirimit për Mihal Kumarakun. Këtë urdhër e kemi depozituar zyrtarisht pranë Drejtorisë së Policisë Fier. Është kompetencë e kësaj të fundit të zbatojë urdhrin e lirimit". Gjithashtu, prokurori Mane është shprehur për "Shqip" se ndaj 20-vjeçarit Kumaraku nuk ka asnjë urdhër prokurorie për ndalimin e tij, si dhe asnjë akuzë të ngritur për të. "Nuk ka akuzë konkrete për shtetasin që policia po e mban të ndaluar. Ne në prokurori kemi hapur çështje për mitingun e jashtëligjshëm ku po hetojmë mbi shumë persona. Me kompetencat e mia ligjore deklaroj se ndaj Mihal Kumarakut nuk ka akuzë", ka thënë prokurori Genci Mane. Kjo deklaratë e prokurorit të çështjes bie ndesh me prononcimin zyrtar të policisë së Fierit, e cila ditën e diel me një deklaratë për shtyp, ka pohuar se Mihal Kumaraku është arrestuar për pengim të subjektit në organet përfaqësuese. Avokati i 20- vjeçarit Agim Lala, gjatë dy ditëve të fundit ka marrë kontakt me drejtues të policisë dhe me klientin e tij që gjendet që nga mbrëmja e së shtunës në qeli. Sipas të afërmve të të ndaluarit, mësojmë se avokati, pas kontaktit me drejtuesit e policisë si dhe me Mihal Kumarakun, është shprehur se veprimi i policisë ka qenë i kundraligjshëm dhe se 20-vjeçarit i është komunikuar që është parë në mitingun e shënuar në KZAZ-në nr. 20 të Fierit. Ndërkohë i ati i studentit fierak, Dhimo Kumaraku, shprehet për "Shqip" se "tim biri i janë servirur nga policia pamje të vëna në dispozicion nga një TV privat. Por pamjet që serviren, nuk shfaqin tim bir, pasi ai në të vërtetë nuk ka qenë në radhët e para të protestës, por më në brendësi të turmës".

Për rastin në fjalë u vu në dijeni OSBE-ja, Avokati i Popullit, ambasada amerikane si dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë me përfaqësi në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›