E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, masa për ndeshjen e nesërme Tiranë - Milan

Një ditë para ndeshjes Tirana- Milan, forcat blu të qarkut të Tiranës i bëjën apel tifozerisë të respektojnë rregullat dhe kodin e sjelljes. Ndeshja do të zhvillohet nesër në ora 19:00 në stadiumin “Qemal Stafa”. 

TIRANE- Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë merr masa për mbarëvajtjen e zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet ekipeve të Tiranës dhe Milanit. Ndeshja do të zhvillohet nesër rreth orës 19:00 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”.

Sipas njoftimit të policisë, nesër duke filluar nga ora 12.00 deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim që të parandalohet çdo incident, do të mbyllen lokalet përreth stadiumit.
Po ashtu gjatë gjithë ditës së nesërme nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në ambientet përreth Stadiumit Kombëtar ”Qemal Stafa”, sheshit “Italia”, sheshit “Nënë Tereza”, si dhe përgjatë Bulevardit “ Dëshmorët e Kombit” nga Presidenca deri tek Hotel “Sheraton”.

Nga ora 15.00 e deri në përfundim të aktivitetit do të ketë ndalim qarkullimi përreth Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, sheshit “Italia” sheshit “Nënë Tereza”, si dhe përgjatë rrugës “Lekë Dukagjini”, Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga Presidenca deri te Hotel “Sheraton”, “Dervish Hima”.

Në njoftimin e shpërndarë për median shkruhet se policia kërkon mirëkuptimin e publikut dhe u kërkon sportdashësve, tifozëve dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet të respektojnë rregullat e vendosura dhe kodin e sjelljes.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›