E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia merr kontrollin në Bulevardin e Kombit

Nga Express më 21 janar 2011 në ora 18:52

(E plotësuar) Policia shqiptare ka marrë në kontroll zonën përpara Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Forcat e rendit, në orët e mbrëmjes, vazhdonin të qëndronin para Kryeministrisë, ndërkohë që protestuesit janë shpërndarë dhe situata duket më e qetë.

Televizioni Klan, në orët e mbrëmjes ka shfaqur pamje derisa policë, shumë nga ta edhe në rroba civile, shoqërojnë në automjete policie, protestues të mbetur në rrugë.

Pritet që policia të qëndrojë në Bulevard, gjatë gjithë natës.

Rritet në tre, numri i viktimave

Ora: 17:45
Mjekët në Spitalin Ushtarak në Tiranë kanë bërë të ditur se numri i të vdekurve nga përleshjet e policisë me protestuesit e dhunshëm është rritur në tre.

Ndërkohë sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme, rreth 100 policë janë lënduar, nga të cilët 10 në gjendje të rëndë.

Sipas njoftimeve nga Spitali Ushtarak, këtu janë shtruar edhe 28 protestues të tjerë me lëndime, nga të cilët 3 rëndë.

Në Spitalin Ushtarak janë dërguar pesë prokuror për të marrë në pyetje të plagosurit.

Në orët e mbrëmjes, intensiteti i protestës ka rënë dhe forcat e rendit duket se kanë filluar ta marrin situatën në dorë.

Dy të vdekur, dhjetëra të plagosur

Ora: 16:42
Dy protestues kanë humbur jetën në protestën e dhunshme që po vazhdon në Tiranë prej orës 14.

Lajmin e ka konfirmuar për Top Channel drejtori i Urgjencës pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë, Sami Koçeku.

Personat kanë ardhur pa jetë në spital. Sipas mjekëve, vdekja e tyre është shkaktuar nga armë zjarri.

“Duhet të jenë armë të fuqisë së vogël dhe do të thotë se janë qëlluar nga afër”, u shpreh Koçeku, për të shtuar se ata mund të jenë qëlluar me pistoleta të kalibrit të vogël.

Ndërkohë, deri më tani raportohet edhe për 17 policë të lënduar, si dhe 20 protestues.

Së paku dy nga ta janë në gjendje të rëndë.

Përshkallëzohet protesta

Ora: 16:42
Përkeqësohet edhe me tej situata përpara Kryeministrisë. Top Channel raporton se policia ka qëlluar me armë duke tentuar të zmbrapsë protestuesit.

Reagimi i policisë ka ardhur pas një tentativave të manifestuesve për të hyrë në portën e hekurtë të godinës së Kryeministrisë.

TCH, i cili konsiderohet i afërt me opozitën, ka raportuar se ka parë protestues të përgjakur në tokë, por ende nuk dihet nëse janë qëlluar me armë zjarri ose jo.

Ndërsa një reporter i ABC News ka treguar se një koktej molotovi është hedhur në grumbullin e policëve.

Shpërthehet dera e Kryeministrisë

Ora: 16:12
Turma e protestuesve, rreth orës 16, ka shpërthyer rrethojat e ndërtesës së Kryeministrisë.

ABC News raporton për të plagosur në mesin e policisë, por edhe nga protestues.

Një zyrtare e Partisë Demokratike, ndër të rrallët që është prononcuar deri më tani, e ka quajtur ngjarjen e sotme “puç” kundër institucioneve, të organizuar nga Partia Socialiste.

Janë dëgjuar dhe të shtëna, që duket se vijnë nga policia.

Megjithëse protesta është organizuar nga opozita, asnjë zyrtar i lartë nuk është parë në vendngjarje.

Gurë kundër policisë dhe Kryeministrisë

Ora: 15:05
Protestuesit janë mbledhur sërish para Kryeministrisë, pas një tkurrjeje të përkohshme të forcave të rendit.

Situata paraqitet shumë e tensionuar, me demonstruesit që gjuajnë me gurë dhe policinë që reagon dhe që më parë përdori pompa uji për të shpërndarë turmën.

Nga pamjet televizive, që po transmetohen drejtpërdrejt nga televizionet shqiptare, shihen se protestuesit kanë sulmuar disa makina civile, duke i thyer dhe kthyer përmbys, si dhe i kanë vënë flakën disa automjeteve të policisë.

Flaka iu është vë edhe disa pemëve dekorative në afërsi të Kryeministrisë.

Top Channel raporton se shumë protestues, pasi janë tërhequr, kanë hipur mbi ndërtesën e piramidës. Kurse bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është i mbushur me tym.

Nga protestuesit ka përpjekje, kohë pas kohe, për të hyrë brenda.

Ka njoftime se disa policë, por edhe protestues, janë plagosur nga hedhja e gurëve.

Tiranë, protestuesit përleshen me policinë

Është tensionuar situata para selisë së Kryeministrisë, ku policia pas gazit lotsjellës po përdor pompa me ujë për të shpërndarë demonstruesit.

Kjo ndërhyrje i ka detyruar pjesëmarrësit që të tërhiqen nga qëndrimi i tyre para selisë së qeverisë.

Situata u tensionua pasi disa nga protestuesit hodhën objekte ndaj kordonit të policisë që mbronte ndërtesën, e cila nga ana e saj reagoi me shkopinj gome.

Aktualisht situata paraqitet problematike. Protestuesit vazhdojnë të gjuajnë me gurë forcat e rendit dhe makinat e saj. Gjithashtu, dëgjohen edhe të shtëna që dyshohet të jenë të granatave të gazit. (tch)

Ora: 14:05
Nis protesta e opozitës

Nga ora 14:00 mijëra qytetarët janë mbledhur para selisë së kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha të cilët kërkojnë largimin e tij.

Menjëherë pas mbledhjes së turmës kanë nisur edhe hedhjet e para të gjë sendeve në drejtim të policisë, ndërsa mediat në Shqipëri raportojnë se kreu I PS-së Edi Rama,ka thënë se nuk mund ta kontrolloi turmën.

Selia e Kryeministrisë ndërkohë, është e rrethuar nga një tre kordone policie të vendosur njëri pas tjetrit, si dhe nga ushtarët e gardës, të cilët e kanë rrethuar atë me tela me gjemba.

Ndërsa gjatë kalimit pranë ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, manifestuesit kanë hedhur këpucë dhe vezë ndaj saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›