E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia merr në mbrojtje babanë e Elidon Kotorrit

Autori i Lajmit: Redaksia
Babai i të “tmerrshmit” Elidon Kotorri, i dënuar me burgim të përjetshëm, ka denoncuar dje djalin e tij se e dhunonte fizikisht e psikologjikisht. Ngjarja ndodhi dje, kur 57-vjeçari Dilaver Kotorri, banues në rrugën “Pasho Hyso” në Tiranë, ka denoncuar djalin e tij, Blendi Kotorri, 31 vjeç, për dhunë. 57-vjeçarit iu plotësua kërkesëpadi, për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes në bazë të ligjit për “Dhunën në familje”, pasi djali i tij, Blendi Kotorri, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tij në mënyrë sistematike. Policia bëri të ditur se u kryen veprimet procedurale, materialet do ti kalojnë Gjykatës, për veprime të mëtejshme. Dilaver Kotorri është babai i Elidon Kotorrit, një prej të burgosurve “VIP”, i cili akuzohet për vrasje dhe është i dënuar me burgim të përjetshëm. Kotorri akuzohet për kryerjen e pesë vrasjeve në Tiranën e Re. Kotorri, në datën 23 dhjetor të vitit 1999, në orën 14.30 minuta, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, që nuk janë identifikuar nga policia, te lokal "Aldrin" përballë ish-ambasadës kroate, qëlloi në drejtim të tavolinës, ku ishte ulur Andi Hasani dhe Santiliano Elezi. Në këtë datë Hasani ka shpëtuar nga plumbat e Kotorrit, por është vrarë Santiliano Elezi dhe Fatmir Hodo si dhe janë plagosur Gerti Xhanai, Edmond Karanxha dhe Dorjan Bejo. Sipas akuzës, Kotorri nuk ka hequr dorë nga ekzekutimi i Andi Hasanit, gjë të cilën e ka realizuar më 11 janar të vitit 2000, afërsisht një muaj pas vrasjes së shokut të tij të ngushtë, Elton Zaimi. Kotorri ka qenë i hipur në një makinë tip "Volksvagen", në bulevardin "Bajram Curri" dhe, pasi ka parë makinën tip "Volvo" me targa TR 5927 D të Andi Hasanit, ka qëlluar mbi të. Bashkë me Andi Hasanin mbetën të vrarë Sokol Alushi dhe Gazmend Zeneli, dhe u plagos rëndë Grigor Stefani. Kotorri u kap më pas në aeroportin e Rinasit. I gjithë procesi kundër të pandehurit Kotorri u vërtit rreth një "fije floku". Sipas akuzës, kjo fije floku që shërben si provë është gjetur në vendin e ngjarjes, pas kryerjes së krimeve, ndërsa, sipas mbrojtjes, fija e flokut është marrë në burg në kundërshtim me ligjin pas arrestimit të të pandehurit. Por dje, gjykata vërtetoi se prova ishte e saktë dhe se ajo duhej të merrej për bazë në dënimin e të pandehurit. Gjykata konkludoi se Elidon Kotorri ka qenë një ndër organizatorët dhe autorët e këtyre vrasjeve. Ngjarjet që çuan Kotorrin në burg, sipas akuzës, kanë filluar më 14 dhjetor 1999, te stadiumi "Selman Stërmasi". Në mes të kësaj historie ka qenë një femër. Në këtë datë vritet Elton Zaimi, shok i ngushtë me Kotorrin. Vrasja mendohet se është kryer nga Andi Hasani, i cili më pas ka qenë edhe objektivi i Kotorrit.

Ky lajm është publikuar: 21/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›