E Hënë, 2 Nëntor 2026

Avokati i Popullit forcon marrëdhëniet me Poloninë gjatë një vizite

09/06/2005  TIRANË- Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Poloni. Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, kjo vizitë u krye në kthim të vizitës zyrtare që Ombudsmani i Republikës së Polonisë, Andrzej Zoll, bëri në Tiranë vitin e kaluar, bëri të ditur të mërkurën, zëdhënësi i institucionit. Vizitës zyrtare të Avokatit të Popullit, Dobjani, i ka paraprirë një vizitë studimore e një grupi ekspertësh shqiptarë pranë Zyrës së Ombudsmanit Polak, në shkurt 2005. Dobjani mes të tjerash ka theksuar se “bashkëpunimit me Zyrën e Ombudsmanit Polak, ne i kushtojmë rëndësi të madhe, pasi kjo Zyrë është ndër më të mirat në Evropën Lindore dhe Qendrore, sikundër pa dyshim ka ligjin më të fortë për funksionimin e një Zyre të Avokatit të Popullit. Një ligj, drejt parametrave të të cilit synojmë të shkojmë edhe ne". Bisedimet e dy homologëvë janë përqëndruar në rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave midis dy zyrave, me interesim të veçantë rritjen e efikasitetit të Institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri. Dobjani u shpreh për rritjen e bashkëpunimit edhe në të ardhmen. Kështu, të dy bashkëbiseduesit ranë dakord që ekspertët e nënseksionit për të drejtat e fëmijëve, të kryejnë në të ardhmen një vizitë studimore në Poloni. Gjithashtu, u ra dakord që të konsiderohet përvoja e Ombudsmanit Polak në marrëdhëniet e tij me pushtetin gjyqësor. U zhvilluan takime të veçanta edhe me Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Polonisë, Lech Gardocki, me zëvendëskryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Andrzej Maczynski, si dhe autoritete të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›