Policia në shërbim të Klan-it
Televizionet dhe gazetat shqiptare mund të kenë raportuar skandale të shumta dhe të rënda, por kur ato denoncohen nga TV Klan, policia dhe institucionet e tjera, vihen në alarm.
I tillë është rasti i denoncimit të shkarkimit të plehrave nga një kamion në rrugën që të çon në Sali Salltik të Krujës.
TV Klan e denoncoi këtë ngjarje dhe madje dhe emisionin më të rëndësishëm, Opinion, edhe pse kryengjarja e djeshme ishte votimi në Kuvend I anëtarit të KLD-së, që u shoqërua me tension dhe debat, ja kushtoi plehrave, duke u nisur nga ky rast.
Aleksandër Frangaj, që ishte i pranishëm në emison, tha se personat përgjegjës duhet të ndiqen penalisht. Dhe, menjëherë të nesërmen, pra sot, drejtori i shërbimeve në bashkinë e Krujës Isa Shqezi dhe drejtori i firmës Rinia, janë marrë në ndjekje penale.
Policia ka bërë shumë mirë që i ka marrë të pandehur, por kjo ngjarje tregon edhe njëherë absurdin në këtë vend dhe se si shteti vihet në dispozicion të kauzave të ngritura nga Klani. Aq qesharak është ky shtet, sa Aleksandër Frangaj kritikonte dje zëvendësministrin e Mjedisit, sikur ta kishte vartësin e tij. Dhe ai, rinte dhe e dëgjonte i bindur, duke i dhënë të drejtë.
Ndoshta policia do të bënte mirë, që përveç këtij rasti, të merrte masa edhe ndaj qindra skandaleve shumë më të rënda të denoncuara nga mediat e tjera. Mjafton p.sh të shohë skandalet e denoncuara nga emisionet Shqipëria tjetër apo Fiks Fare.