Policia nis procedim penal ndaj FRESSH-it, për tubim të paligjshëm
Policia e Tiranës ka nisur një procedim penal ndaj organizatorëve të Forumit Rinor të Partisë Socialiste lidhur me mbajtjen e një tubimi të paligjshëm. Bëhet fjalë për një protestë të organizuar nga FRESSH para godinës së kryeministrisë me datë 18 janar. Të rinjtë e FRESSH-it me moton Drejtësia vdiq vendosën një arkivol para kryeministrisë.
Të rinjtë e FRESSH, dega Tiranë u mblodhën përpara godinës së kryeministrisë pikërisht në momentet që aty zhvillohej mbledhja qeverisë. Tubimi erdhi dy ditë pasi Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën.
Procedimi penal po bëhet ndaj organizatores së protestës, Braziliana Memushaj edhe cila është edhe kryetarja e FRESSH-it për degën e Tiranës.
Neni 4 i ligjit për të drejtën e tubimeve thotë: Për tubimet në vendet publike organizatorët detyrohen të kërkojnë lejen me shkrim të shefit të komisariatit të policisë, në territorin e të cilit do të zhvillohen, jo më vonë se tri ditë përpara.
Ndërsa neni 3 Vende publike, në kuptimin e këtij ligji, konsiderohen sheshet, bulevardet, rrugët dhe çdo mjedis tjetër që shfrytëzohet lirisht për lëvizjet e qytetarëve e të automjeteve.