E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia nuk do të tolerojë kultivimin e drogës në Lazaratit

07/05/2010 Gjirokastër, komuniteti gati për bashkëpunim

GJIROKASTËR - Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë cep të territorit të Lazaratit të kultivohet me lëndë narkotike. Zv/ministri i Brendshëm për çështjet e rendit dhe sigurisë, Avenir Peka, gjatë një takimi të përbashkët që u organizuar sot, në qendër të fshatit Lazarat, i ka kërkuar policisë së Gjirokastrës të nisin menjëherë krehjen e zonës dhe në rast konstatimi ligji të veprojë. “Prej disa ditësh ka nisur faza e dytë e zbatimit të Planit të Veprimit dhe komuna e Lazaratit nuk bën përjashtim”, tha Peka. Peka theksoi se Plani i Veprimi ndahet në tre faza, sensibilizim, identifikim dhe goditje. “Në çdo komunë dhe fshat janë ngritur grupet e punës, të cilët përbëhen nga pleqësia, anëtarët e këshillit, punonjës policie dhe të punësuar në administratën shtetërore”, tha Peka, duke nënvizuar se këto grupe do fillojnë të bëjnë krehjen e çdo pëllëmbe toke që kanë në juridiksionin e tyre. Dashnor Aliko, kryetari i komunës së Lazaratit, ka theksuar, se lazaratasit do t’i japim mbështetjen e duhur Policisë së Shtetit. “Të gjithë së bashku të kontribuojmë që fshati Lazarat të kontrollohet nga Policia e Shtetit, siç ka filluar të patrullojë tashmë në çdo rrugicë të fshatit, që të parandalojmë çdo banor që tenton të kultivojë bimë narkotike”, tha Aliko. Mimoza Çomo, prefektja e qarkut të Gjirokastrës, tha se qeveria shqiptare është e vendosur që Lazaratin ta heqë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike. Lazarati është emër shumë i njohur në Shqipëri, shpesh i anatemuar padrejtësisht, ose politikisht. Gjatë diktaturës njihej si fshat ballist, në demokraci si bastion i Partisë Demokratike dhe vitet e fundit si qendër e kultivimit të lëndëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›