E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shën Gjergji, mbushet me lule Shkodra

07/05/2010 Festa e luleve më 6 maj

SHKODER- Lulet dhe pikturat me bazë lulen kanë zbukuruar si asnjëherë tjetër pedonalen e re të Pijacës së Shkodrës. Bashkia e Shkodrës dhe shoqata kulturore artistike “Prenkë Jakova” e mbështetur nga bizneset e kësaj rruge dhe lulerritësit e qytetit, kanë organizuar festën e 6 majit, Ditën e Luleve. Kjo ditë e njohur si festa e Shën Gjergjit, është konceptuar që prej vitit 2006 të festohet si Dita e Luleve, pasi e tillë ka qenë për të gjithë banorët e rajonit të Shkodrës, që në kohët e lashta. Lulet në këngë, lulet në artet pamore, lulet si pjesë e inspirimit artistik, lulja si ringjallëse e shpresës dhe e dashurisë, ishin elementët përbërëse të veprimtarisë “Lule për qytetin tim”, që u organizua në pedonalen e qytetit të Shkodrës që nga dita e djeshme e deri në orët e vona të mbrëmjes së 6 majit. Dita e djeshme e gjeti pedonalen e Shkodrës të mbushur plot me vazo lulesh të shumëllojshme, sa të krijohej përshtypja se po kaloje në të gjitha oborret tradicionale me lule të Shkodrës. Sipas prof. as. dr. Ahmet Osja, kjo festë ka pasur ritet e veta shumica e të cilave janë trashëguar edhe sot ne familjet shkodrane. Herët në mëngjes të moshuarit merrnin degë me lule dhe i vinin fillimisht në derën e oborrit, me qëllim që të tregonin që kjo derë u ngjall, pra për të treguar që në këtë derë erdhi jeta, erdhi lulja, erdhi pranvera. Pastaj lulet vendoseshin tek gryka e pusit, për të treguar se ishte një ujë që u zgjua me zgjimin e pranverës. Më pas lulet vendoseshin në derën hyrëse të shtëpisë, në dyert e brendshme, në dritare dhe në fund tek dhomat e gjumit. Me anë të luleve dhe zgjimi i fëmijëve dhe tek të gjithë ata hidheshin lloje të ndryshme lulesh, duke i mbushur dyshekët me lule shumëngjyrëshe. Përveç luleve merrej dhe hithra me të cilën “goditej” fëmija i vogël, me qëllim që t’i tregohej se duhej zgjuar, nuk duhej të ishte përtac, pasi tani që filloi pranvera duhet të gëzohej, duhet të mendonte, të lodronte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›