Policia nuk garanton më rendin, si do ta ruajë votën!?
Edhe dita e djeshme ka dhënë alarme të frikshme duke shkatërruar rendin dhe qetësinë në një situatë parazgjedhore dhe duke i paraprirë skemës së panikut dhe të shantazhit të votës. Një drejtues vendor i Partisë Demokristiane u ekzekutua në një atentat mafioz. Po dje u kërcënua me jetë një deputet socialist. Pak ditë më parë, një incident i ndodhur në një fshat të Durrësit, që përfundoi me vdekje, u servir me zell të madh nga Policia e Shtetit si një krim që ndodhi për motive politike. Me dhjetëra zyra elektorale janë dhunuar në mënyrë sistematike nën hundët e forcave të rendit gjatë këtyre javëve. E gjithë skema e këtyre rekordeve kriminale ndodh në vijim të atentatit të deputetit socialist, Fatmir Xhindi, i cili meriton të konsiderohet një atentat politik përderisa Policia e Shtetit nuk është në gjendje që të identifikojë dhe prangosë autorët. Ajo, bashkë me titullarët e saj po mashtrojnë çdo ditë opinionin publik, duke i servirur rrena elektorale të llojit që “autorët do të gjenden shumë shpejt” apo formulime të këtij lloji, duke shpresuar se më 28 qershor do të kalojnë “lumin”.
Krimet e tipit mafioz që kanë ndodhur gjatë dy muajve të fundit tregojnë se Policia e Shtetit jo vetëm nuk është në gjendje që të garantojë më rendin dhe sigurinë për qytetarët e vet, por ajo po shfaq shenja të dukshme se është bërë pjesë e pushtetit që do të rimandatohet me çdo kusht dhe mjet me stilin e vjetër; atë që e kishim harruar prej 12 vjetësh; ajo është bërë instrument në dorën e politikës së mbrapshtë për të mbjellë presion, frikë dhe terror te shqiptarët përpara se ata t’i drejtohen kutisë së votimit. Ajo po tregon se nuk ka një strategji për të mbrojtur lirinë e qytetarëve, të cilët tanimë kanë frikë që të shprehin mendimet e tyre, kanë frikë që të shkojnë në tubimet elektorale, kanë frikë sepse janë të survejuar dhe të shantazhuar nga pushteti i policit dhe polici i pushtetit. Ajo nuk po u garanton vlerën thelbësore të demokracisë.
Ngjarjet e fundit po tregojnë se rendi dhe siguria nuk janë më në duart e shtetit. Prej kohësh janë lajmëruar infiltrime të personave me rekorde kriminale në radhët e Policisë; që në fillimin e këtij viti ndryshuan thuajse tërësisht strukturat policore nëpër qarqe; strukturat e shërbimeve sekrete duken si struktura paralele, pasi duket se nuk kanë mbështetjen e qeverisë, ndërsa mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare i harruam qëkur iku presidenti Moisiu.
Së fundi, pa dashur që t’u vihet gishti autorëve të krimit apo të krimeve që kanë ndodhur këto ditë, pa i trajtuar këto ngjarje si krime me motive politike, të gjithë qytetarët presin që Policia e Shtetit të bëjë detyrën e saj kushtetuese; të garantojë rendin dhe qetësinë. Nëse nuk e bën një gjë të tillë tani, e si mund t’i besojmë detyrën më të rëndësishme që pritet të bëjë më 28 qershor, atë të ruajtjes së votës…?!
19 Qershor 2009