Policia nxjerr me forcë nga zyra drejtorin e ujësjellësit të Kavajës

Elvis Roshi
Forca policore, të mbërritura edhe nga Tirana, kanë nxjerrë me forcë nga zyra e tij drejtorin e Ujësjellësit të Kavajës, Gentian Daja, i vendosur në detyrë nga Bashkia e Kavajës. Daja është shoqëruar për në komisariatin e policisë, ndërkohë që situata është tensionuar. Përpara komisariatit ka mbërritur edhe kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, por ai nuk lejohet të hyjë brenda.
Pasi Daja është nxjerrë nga zyra, në vend të tij ka hyrë Elidon Plaku, i vendosur në atë detyrë nga Partia Demokratike. Plaku ishte larguar nga detyra me vendim të këshillit mbikëqyrës. Por ai ka bërë kallëzim në polici dhe kjo e fundit ka ndërhyrë në mënyrë brutale. Kjo është përplasja e dytë brenda pak kohësh mes kryebashkiakut Elvis Roshi dhe ekzekutivit.