E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia shekullore, pesë familje kërkojnë ndihmë për restaurimin

 

GJIROKASTER - Edhe pse kanë kaluar dy vjet që nga ankesa e parë, banorët e një shtëpie në lagjen “Varrosh” në Gjirokastër, nuk kanë gjetur ende zgjidhje. Shtëpia ku banojnë 5 familje është ndërtuar në vitin 1873 dhe ishte pronë e një prej figurave më të njohura të Ali Pashë Tepelenës, kryekomandantit të tij, Thanas Vaja. Pas vitit 1944, shtëpia u shtetëzua dhe për një farë kohe u përdor si magazinë e fabrikës së cigareve që ishte ngritur aty pranë. Qysh në vitin 1945 u vendosen familjet e para dhe sot në të banojnë 5 të tilla. Investimet e para për rregullimin e saj janë kryer në vitin 1945 dhe ndërhyrja e dytë restauruese është bërë në vitin 1970. Po mbushen 4 dekada që në këtë shtëpi nuk është kryer asnjë restaurim dhe sot gjurmët e rrënimit janë me evidente se kurrë, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve. Banorët kanë paguar rregullisht qiranë deri në vitin 1994 dhe më tej pagesat janë ndërprerë. Ata nuk kanë mundur të fitojnë nga privatizimi, pasi shtëpia mund të ishte me pronar. Sot, as pronare dhe as qiraxhinj ata nuk mund të investojnë në shtëpinë ku jetojnë. Kërkesat e tyre i janë adresuar bashkisë së qytetit, e cila i ka përcjellë në Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës. Por edhe aty nuk marrin dot zgjidhje, pasi sipas drejtorit Spartak Drasa, kjo shtëpi edhe pse ndodhet në një zonë muzeale nuk është monument kulture. Çarjet e murit të jashtëm janë pasuar me shenja të dukshme edhe në ambientet e brendshme, çka ka detyruar një nga banorët të largohet për të banuar përkohësisht në shtëpinë e të afërmve.                                  p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›