E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e temperaturave, 9 vetë pa shtëpi

FATKEQËSIA/ Banesa e Isuf Ibrajt, e cila është dëmtuar që dimrin e kaluar, është gjysmë e shembur

PUKË - Ulja e temperaturave ka sjellë dhe dëborën e parë në rrethin e Pukës, e cila është shoqëruar dhe me probleme në disa akse rrugore. Një famije e varfër nga fshati Iballë, banesa e së cilës është tepër e dëmtuar, është zhvendosur nga dejtuesit e komunës dhe të fshatit në një ambient tjetër provizor. Sipas nënprefektit të Pukës, Dedë Përshpali, familja e shtetasit Isuf Ramë Ibraj, me 9 persona, e ka të dëmtuar banesën e saj që nga dimri i kaluar si pasojë e reshjeve tëdëborës. Banesa është gjysmë e shembur dhe e pabanueshme, por gjatë kësaj kohe, 9 pjesëtarët e kësaj familjeje të varfër kanë vazhduar të jetojnë në të, pasi nuk kanë mundësi as për ta riparuar dhe as për t’u vendosur diku tjetër. Dëbora e rënë natën e së premtes dhe paraditen e së shtunës ka bërë që banesa thuajse të shembet plotësisht duke rrezikuar jetën e 9 pjesëtarëve të familjes, ku 7 janë fëmijë. Në këto kushte drejtuesit e komunës Iballë dhe të fshatit ku jeton familja e Isuf Ibrajt, kanë vendosur që pjesëtarët e saj t’i largojnë nga banesa dhe t’i vendosin përkohësisht diku tjetër. Nënprefekti Përshpali thekson se lidhur me këtë rast është informuar dhe prefektura e Shkodrës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje dhe t’i jepet një ndihmë për strehim kësaj familjeje tepër të varfër. Dëbora e rënë në rrethin e Pukës ka sjellë probleme në qarkullimin e disa akseve rrugore pasi i ka gjetur të papërgatitur firmat që duhet t’i mirëmbajnë ato. Pas reagimit të nënprefekturës Pukë, këto firma janë vënë në lëvizje dhe situata është përmirësuar duke bërë që akset rrugore që ato kanë për t’i mirëmbajtur të jenë të kalueshme. Aktualisht është i bllokuar aksi rrugor Bardhet – Ibarrlë, i cili mirëmbahet jo nga firmat private, por nga sektori i ndërmarrjes përkatëse me qendër në Shkodër. Sipas nënprefektit Përshpali, janë rreth 3500 banorë të fshatrave të kësaj zone që janë të bllokuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›