E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia parandaloi sulme vetëvrasëse në Kabul

Policia afgane ka arrestuar sot pesë persona në Kabul, të cilët kishin synuar që të ndërmarrin sulme vetëvrasëse, kanë njoftuar zyrtarët.

“Po të kishin realizuar synimin anëtarët e këtij ekipi, atëherë do të kishte qenë kjo një katastrofë e përmasave të mëdha”, theksoi zëvendëskomandanti i policisë kombëtare të Afganistanit, Abdul Ghafar.

Ai shtoi se policia, duke vepruar në bazë të disa informatave që kishte pranuar, ka ndalur sulmuesit vetëvrasës, të cilët po udhëtonin me automjet në pjesën juglindore të Kabulit.

Ghafar theksoi se ekipi i sulmuesve vetëvrasës është dërguar nga rrjeti Haqqani, i cili ka lidhje me Al Qaidën.

“Operacioni i sotëm është një sukses i madh. Kapacitetet tona po përmirësohen për çdo ditë, e po shtohet edhe aftësia jonë për të zbuluar komplote të këtilla”, theksoi Ghafar.

Sulmet e këtilla janë karakteristikë e rrjetit Haqqani, udhëheqësi i të cilit rrjet dikur ka qenë aleat i SHBA-së. Ky grup konsiderohet si një kërcënim serioz për forcat amerikane dhe ato të NATO-s në Afganistan dhe operon në të dy anët e kufirit me Pakistanin.

Ghafar theksoi se ende nuk është zbuluar identiteti i saktë i sulmuesve të arrestuar. Ai shtoi se synimi i tyre ka qenë që të hedhin vetën në ajër në pjesë të frekuentuara të Kabulit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›