Policia, pranga maskave të rrugës Tiranë-Elbasan
Tre personat e dyshuar për grabitjen dhe fshehjen e makinës së një shtetasi grek katër ditë më parë në afërsi të kilometrit të 29 në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan, janë vënë dje në pranga nga uniformat blu të kryeqytetit. Kanë qenë verifikimet e bëra nga inspektorët antikrim ato që sollën edhe operacionin e koduar “Kilometri i 29”, falë të cilit policia ka mundur të zbulojë grupin e grabitësve. Burime të policisë bënë me dije se operacioni u realizua nga specialistët e seksionit kundër vjedhjeve me dhunë e armë, në bashkëpunim më Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë. Po sipas tyre, dje u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorëve të ngjarjes së katër ditëve më parë në afërsi të Qafë-Kërrabës. Autorët e dyshuar të grabitjes janë: Shpëtim Taho, 25 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje automjetesh, Artur Konja, 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Aleksandër Pjetri, 27 vjeç, banues në Lezhë. Zyrtarisht policia tha se kapja dhe më pas arrestimi i tyre u bë sepse dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, automjetin tip “Honda”, një shtetasi grek.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, ka rezultuar se automjeti është shitur prej tyre, në qytetin e Lezhës shtetasit Aleksandër Pjetri, i cili i ka ndihmuar dhe përkrahur autorët, duke i vendosur në dispozicion menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes një automjet tip “Mini Cuper” (të vjedhur), me qëllim që autorët të largohen. Të njëjtat burime thanë se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua në një servis të ndodhur në segmentin rrugor Lezhë–Laç, automjeti tip “Honda”, i vjedhur me targa të huaja, u sekuestrua arma e dyshuar e krimit, një automatik me një krehër dhe 30 copë fishekë, si dhe një tjetër automjet tip “Mini Cuper”, i vjedhur prej tyre. Sendet u gjetën të fshehura në servisin në pronësi të shtetasit Aleksandër Pjetri. Autorët e sipërpërmendur dyshohet se nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur me dhunë duke e kërcënuar shtetasin grek dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Dy prej të arrestuarve akuzohen për veprën penale të “vjedhjes me armë” në bashkëpunim dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ndërsa Aleksandër Pjetri akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe “përvetësim e fshehje e sendeve të vjedhura”.
#