E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja Hoxhallari, gjykata rifillon procesin ndaj mjekut

Procesi Ndërrimi i kryegjyqtarit sjell rikthimin e gjyqit. Irritohen familjarët e 17-vjeçares

Ndryshimi i gjyqtarit të çështjes “Hoxhallari” solli dhe rifillimin e procesit nga e para, duke shkaktuar edhe irritimin e familjarëve të 17-vjeçares Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë gjatë operacionit për heqjen e bajameve. Dje, në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar procesi gjyqësor me të pandehur mjekun Xhevahir Hoxhallari. Në fillim të procesit gjyqësor, trupi gjykues kishte ndërruar “fytyrë”, vendin e të transferuarit në Gjykatën e Apelit, Artan Broci, e kishte zënë gjyqtari Gerd Hoxha. Ky i fundit, pasi u bëri me dije palëve nëse kishin kundërshti për emrin e tij dhe të Kolegjit Penal, tha se procesi gjyqësor duhet të rifillojë sërish nga e para. Kjo, për shkak se anëtarët e trupit gjykues janë ndërruar dhe ligji e parashikon se nëse ndërrohet kryegjyqtari i një çështje ai ka të drejtë të urdhërojë rifillimin e procesit. Pas fjalëve të Hoxhës, familjarët e Matilda Petritit kanë reaguar fuqishëm, duke deklaruar se kjo nuk është e drejtë dhe se drejtësia nuk po vihet në vend.

Ndërkohë, në seancat e kaluara kanë dëshmuar ekspertë mjekoligjorë që e kanë rënduar situatën e mjekut Xhevahir Hoxhallari, i cili ndodhet përpara drejtësisë për akuzën e mjekimit të gabuar, ku si pasojë vdiq 17-vjeçarja nga Pogradeci Matilda Petriti. Ekspertët mjekoligjorë kanë zbardhur një raport prej 50 faqesh dhe u janë përgjigjur 68 pyetjeve të hartuara nga prokuroria. Sipas raportit të katër specialistëve, “mjeku Hoxhallari i ka dëmtuar venat e gjakut vajzës 17-vjeçare, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme, të cilat i kanë shkaktuar dhe një hemorragji të fortë”. Ekspertët deklarojnë se këto janë arsyet kryesore që kanë sjellë vdekjen e vajzës. “Ndërhyrja e parë është kryer më 6 prill 2008, por mjeku ka ndërhyrë dhe dy herë të tjera. Ndërhyrja e dytë më 14 prill të vitit të kaluar dhe ndërhyrja tjetër më 15 prill. Ai nuk e ka përshkruar gjendjen e vajzës në kartelë, si dhe ka vepruar pa mendimin e specialistëve, duke mos i dhënë kurimin e duhur, sepse vajza duhet të furnizohej me gjak, veprim që do të kishte shmangur tharjen e qelizave dhe do të kishte shpëtuar jetën e saj”, do të deklaronin ekspertët mjekoligjorë, ndërsa tashmë ata duhet të ridëshmojnë në gjykatë.

Ngjarja ka ndodhur në verën e vitit 2008, kur familjarët akuzuan mjekun si shkaktar të vdekjes së vajzës. Pas denoncimeve të të afërmve të viktimës, prokuroria nisi hetimet ndaj mjekut Hoxhallari. Autopsia vërtetoi se 17-vjeçarja korçare humbi jetën si pasojë e hemorragjisë së madhe të krijuar pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Pas një sërë veprimesh hetimore, organi i akuzës kryeqytetase mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj Xhevahir Hoxhallarit për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›