Policia prangos shtatë persona për vjedhjet në kryeqytet
TIRANË - Shtatë persona janë arrestuar për veprën penale të vjedhjes në dy aksione të kryera gjatë 24 orëve të fundit nga policia e qarkut të Tiranës, ndërkohë që një pjesë e tyre kanë qenë përsëritës të këtij krimi. Policia e këtij qarku, veçon në një njoftim për shtyp arrestimin e katër personave gjatë operacionit të koduar “Sharra”. Për të katër të arrestuarit është dokumentuar tërësisht implikimi i tyre në 11 vjedhje të bizneseve të ndryshme në Tiranë. Një operacion tjetër i suksesshëm i policisë ishte dhe ai i koduar “Kriko”, i finalizuar gjatë 24 orëve të fundit. Gjatë këtij aksioni u arrestuan J. A., 14 vjeç, banues në Lezhë, Dianos Marku, 18 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore i dënuar më parë për vjedhje dhe Agron Zylfo, 33 vjeç, lindur dhe banues në Ibë, komuna Bërzhitë, i dënuar dy herë për vjedhje. Sipas policisë tre personat u kapën në flagrancë duke vjedhur shumën e parave prej 48 000 lekësh, në dyqanin e firmës “Shpiragu”, në Bulevardin “Zhan “D’Ark”.
Piu qetësues në gjendje depresive, u gjet i shtrirë në mes të rrugës
Korçë – Megjithëse të gjithë e këshilluan që të mos i përdorte medikamentet qetësuese, i ndodhur në gjendje depresive ai duket se nuk e ka pasur aspak të lehtë të heqë dorë nga vendimi fatal. Sipas të dhënave policore, i riu Gjergj Anastasi nga qyteti i Korçës është gjetur i shtrirë mjaft rëndë nga ana shëndetësore në shkallët e një dyqani pranë spitalit, duke pasur pranë tij disa medikamente me mbishkrimin “Loram”, të cilat përdoren si qetësues. Menjëherë ai u transportua në spitalin e Korçës, ku edhe ka marrë ndihmën e duhur mjekësore pasi shfaqte simptoma të helmimit. Më pas, u kryen veprimet e para hetimore, nga ku ka rezultuar se ky person është parë nga kalimtarët e rastit të konsumonte këto medikamente, të cilët e kanë këshilluar që të mos i merrte ato, por ai pavarësisht këmbënguljes së tyre, i ka konsumuar ato. Për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore, që prej ditës se djeshme dhe deri në këto momente, ai gjendet i shtruar në repartin e reanimacionit në gjendje relativisht të rëndë, por gjithsesi, jashtë rrezikut për jetën. Nuk është bërë e mundur që prej tij të merren shpjegime të hollësishme, por mendohet se ai i ka konsumuar medikamentet qetësuese në kushte të forta të depresionit.
23 Prill 2009