Përshkallëzohet protesta e studentëve, shqyejnë derën e Ministrisë së Arsimit, policia ndërhyn me dhunë

Protesta e studentëve dhe të rinjve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është përshkallëzuar këtë të martë. Protestuesit kanë shqyer derën e godinës dhe kanë hyrë në ambientet e brendshme të institucionit.
Pas përshkallëzimit të situatës, policia ka ndërhyrë duke përdorur autobotin me ujë, me qëllim zmbrapsjen e protestuesve nga godina.
Studentët dhe të rinjtë ishin mbledhur para ministrisë në kuadër të protestës kombëtare të thirrur për orën 14:00, për të kundërshtuar problematikat që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura dhe mungesën e reagimit institucional.
Përshkallëzimi i protestës vjen pas grumbullimit të studentëve para ministrisë, ku policia kishte vendosur forca të shumta dhe kishte pozicionuar një autobot me ujë në gatishmëri. Mediat raportuan më herët se të rinjtë protestonin kundër problematikave në universitete, kostove të studimeve dhe mungesës së mbështetjes për studentët.