Policia refuzon kallëzimin e motrës së Haklajve
• TIRANE - Policia refuzon të marrë kallëzimin e Aishe Haklajt për një kanosje të pretenduar nga vajza e madhe e familjes Haklaj, nga Kërrnaja e Tropojës.Aishe Haklaj pretendon se kërcënimi ka ndodhur pranë banesë së saj në afërsi të Kodrës së Kuqe në Tiranë. Policia e kryeqytetit gjithsesi konfirmoi se ka organizuar patrullime në zonë, pasi ka marrë informacion për pretendimet e Haklajt. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës konfirmuan se kanë shtuar shërbimet në zonën ku Aishe Haklaj pretendon se ka lëvizur një person, i cili, sipas saj, mban me vete një çantë me përmasat e mjaftueshme për të fshehur një armë automatike. Haklaj ka pretenduar se një person i panjohur, ka studiuar për një kohë të gjatë mëngjesin e të mërkurës banesën e saj dhe rrugicat që ndodheshin nëpër të gjithë lagjen. Sipas pretendimeve të vajzës së madhe të Haklajve, personi ka qenë rreth 1.70 i gjatë me mjekër. Haklaj, banuese në lagjen "Kodra e Kuqe" në Tiranë, tregon se ka vënë re rastësisht personin që ishte rreth 35 vjeç dhe me trup mesatar. Motra e vëllezërve Haklaj thotë se personi po kontrollonte rrugicat në lagjen ku ndodhej banesa e saj. "Ai nuk është banor i zonës", mësohet se ka pretenduar në polici Aishe Haklaj. Ajo ka pohuar se personi nuk kreu ndonjë veprim drejtpërdrejtë ndaj familjes apo ndaj saj. "Veprimet e tij, lëvizjet dhe verifikimet që pashë se po bënte, nuk më dukeshin të mira. Dola nga banesa dhe ai u largua. E kam ndjekur për rreth një kilometër nga banesa ime, deri në afërsi të Porcelanit", pohoi Aishe Haklaj dje në mbrëmje gjatë një prononcimi për gazetën "Panorama", pasi kishte paraqitur kallëzimin në polici. Pasi kishte ndjekur personin e cilësuar prej saj si të dyshimtë, Aishe Haklaj tregoi se është drejtuar për në Komisariatin e policisë nr.1, për të kryer një kallëzim penal. Sipas vajzës së familjes Haklaj, ajo është banore e njësisë minibashkiake nr.2, e cila mbulohet në kompetencën territoriale nga Komisariati nr.1. Haklaj aktualisht ndodhet në një banesë me qira në një territor që mbulohet nga Komisariati nr.4. Ajo ka treguar se është drejtuar për të dhënë një kallëzim pranë Komisariatit nr.1, por drejtuesit e këtij institucioni i kanë pohuar se ajo duhet të shkonte pranë Komisariatit nr.4. da.bi