OKB kundër Rusisë: Stop negociatave
• Këshilli i Sigurimit do të kthehet në një arenë të re debati mes Perëndimit dhe Rusisë për shkak të Kosovës, pasi qëndrimet e superfuqive janë aq të kundërta, sa edhe organizimi i takimit ka mbetur pa një formulë të përcaktuar qartë. Rusia ka kërkuar që të zhvillohen negociata të reja mes Prishtinës dhe Beogradit, mirëpo kjo “zgjidhje” është refuzuar nga përfaqësuesit e SHBA-së dhe të shteteve të Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit. Deklarata vinte nga presidenca e Rusisë. Ambasadori amerikan në OKB, Zalmaj Khalilzad, u përgjigj se “Qëndrimi ynë dallon në mënyrë fondamentale në raport me atë rus. Ne dhe evropianët konsiderojmë që procesi negociator është shteruar. Është koha që Këshilli i Sigurimit të vendosë dhe nëse nuk miraton vendimin, duhet kërkuar mënyra që zgjidhja e problemit të gjendet jashtë Këshillit. Për shkak të këtij dallimi fondamental, qëndrimit tonë se negociatat janë shteruar dhe atij rus se një zgjidhje me marrëveshje është e mundshme, nuk ka pasur bazë për marrëveshje për deklaratën presidenciale. Për Kosovën gjithsesi do të bisedojmë më 19 dhjetor”, theksoi Khalilzad. Rusia e justifikon qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës, si një përpjekje për të ruajtur stabilitetin në botë, pasi sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pavarësia e Kosovës do të krijonte një reaksion zinxhir për të gjitha rajonet e tjera separatiste në botë. Lavrov tha, në një intervistë për BBC-në se një hap i tillë, do të vendoste një precedent të rrezikshëm në Ballkan, në këtë pjesë të paqëndrueshme të Evropës. “Pasoja e dukshme e kësaj është se ligji ndërkombëtar do të pengohet në mënyrë brutale dhe do të vendoset një precedent jo vetëm për Ballkanin. Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi, sigurisht Serbia dhe ndoshta edhe disa vende të tjera, do ta ndjenin ndryshimin”, tha Lavrov. Por sekretarja amerikane e shtetit, e cila dje ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Lavrov, ka theksuar se edhe Rusia duhet ta pranojë realitetin se Serbia dhe Kosova nuk do të jenë përsëri një, ose rrezikon jostabilitet atje. “Eshtë fakt se Kosova dhe Serbia kurrë nuk do të jenë një dhe ky është realiteti”, tha Rajs duke shtuar se “nëse ju nuk e keni parasysh realitetin, ju vetëm do të shkaktoni pakënaqësi të konsiderueshme dhe jostabilitet të konsiderueshëm. Kosova dhe Serbia duhet të shkojnë kah ardhmëritë e tyre, ardhmëritë e ndara, por të ndërlidhura. Për të arritur këtë Serbia duhet të ketë perspektivë të fuqishme evropiane”. Negociatat dështuan dhe nuk ka më vend për to, ishte mesazhi i qartë i sekretares amerikane. Rajs theksoi mbështetjen për planin Ahtisari. “Tani fokusi është në sigurimin se Kosova i plotëson obligimet e veta sipas planit të Ahtisarit, siç është mbrojtja e të drejtave të minoriteteve dhe të monumenteve fetare, meqë nuk ekziston asnjë pikë më tepër për negociata të mëtejshme”, përfundoi ajo. Ndërkohë, më 19 dhjetor pritet debati në Këshillin e Sigurimit. Paraprakisht debati ka nisur pasi Rusia po kundërshton me forcë, pas një ankese zyrtare serbe, pjesëmarrjen zyrtare të presidentit Sejdiu në këtë takim të Këshillit, si përfaqësues i Kosovës, prania e Sejdiut në takim mbështetet fortë nga SHBA-të, Franca dhe Britania. “Ne mendojmë se çështja e formatit është logjike, meqë të dy palët kanë marrë pjesë në negociatat”, tha ambasadori britanik, John Sauers. Sinjal i fuqishëm për KosovënMinistrja e Jashtme austriake, Ursula Plasnik ka deklaruar, se liderët evropianë në Samitin e Lisbonës, i cili zhvillohet sot, do të japin sinjal të fuqishëm dhe të bashkuar për angazhimin e BE-së në Kosovë dhe vlerësoi se pavarësia e mbikëqyrur është e vetmja zgjidhje reale. Sipas Plasnik, "Mundësitë për arritjen e marrëveshjes së negociuar kanë shteruar, pavarësia e mbikëqyrur siç ka propozuar i dërguari i OKB-së, Marti Ahtisari është e vetmja zgjidhje reale". Ministrja austriake shtoi se në samitin e liderëve të vendeve të BE-së në Lisbonë, do të jepet një sinjal i fuqishëm dhe i bashkuar për angazhimin evropian në të mirë të Kosovës. "Jemi në një fazë mjaft të rëndësishme rreth çështjes së Kosovës. Brenda BE-së është i forcuar uniteti dhe se baza për misionin e ardhshëm në Kosovë do të jetë Rezoluta 1244. Njerëzve në Kosovë u nevojitet qartësia", përfundoi Plasnik.Kosova e pavarur, por pa datë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar, se Prishtina insiston që procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës të përfundojë sa më shpejt, por shtoi se nuk ka të përcaktuar ende ndonjë datë fikse. Sipas Sejdiut, "Për ne është e rëndësishme se ka një orientim në kornizën e përgjithshme, se si do të përfundonin proceset dhe kur do të ishte fundi i tyre", tha ai në një intervistë për REL. "Përgatitjet kanë të bëjnë me infrastrukturën ligjore dhe kushtetuese dhe me gatishmërinë e përgjithshme ndërkombëtare për reagimin e shpejtë pozitiv në njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Presim që pas seancës së Këshillit të Sigurimit më 19 dhjetor, do të ketë zhvillime edhe më të shpejta për statusin e Kosovës, me rekomandimet që duhet t'i bëjë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, me anë të një udhëzimi të drejtpërdrejtë dhe qëndrimit të përbashkët të të gjitha vendeve që e mbështesin Kosovën e pavarur", tha Sejdiu. "Pavarësi e mbikëqyrur për Kosovën"Kryeministri britanik, Gordon Braun, ka deklaruar në parlamentin britanik, se Londra mbështet pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën. Duke theksuar se, për fat të keq nuk ishte e mundur arritja e një marrëveshjeje mes serbëve dhe kosovarëve. Braun tha, se "Ne besojmë se Kosova duhet të shkojë drejt pavarësisë së mbikëqyrur. Ne besojmë, se Bashkimi Evropian duhet të ofrojë mjetet e veta për të barazuar ato mjete ndërkombëtare që janë aktualisht në Kosovë dhe ne shpresojmë, se mund të shkojmë drejt asaj që ne e quajmë pavarësi e mbikëqyrur. E thënë me fjalë të tjera, që të përmbushen të drejtat e kosovarëve, me kusht që të mos ketë dhunë", shtoi kryeministri britanik. Sipas tij, kjo çështje do të diskutohej nga BE-ja gjatë fundjavës, sepse siç tha, statusi i Kosovës është përgjegjësi e Bashkimit Evropian. "Kjo është zona e fundit e Ballkanit, ku ne duhet të zbatojmë në praktikë mekanizmat që do të siguronin paqe dhe stabilitet në të ardhmen", shtoi Braun.