“Policia rol kyç në heqjen e vizave”
Etleva Delia
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tha dje në një takim me krerët e policisë në qarqe, se strukturat e rendit kanë barrën kryesore në përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave. Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka rolin kuç në realizimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së. Kreu i dikasterit ka dhënë edhe porositë e tij për drejtorët e policisë në gjithë qarqet e vendit, duke kërkuar punë me dosjet e vjetra të krimeve të pazbuluara dhe pa autor. Kjo ka qenë kryefjala e takimit të djeshëm që Basha zhvilloi me të gjithë drejtuesit e policisë në 12 qarqet e vendit dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. Ministri i kërkoi policisë të vendosë në prioritet zbulimin e krimeve pa autor. Në takim ministri Basha e cilësoi të patolerueshëm faktin se akte të shumta kriminale mbeten të pazbuluara, ndaj kërkoi që të ushtrohet kontroll i njëtrajtshëm në këtë drejtim në të gjithë qarqet e vendit dhe në çdo cep të territorit. Basha tha se ndryshimet e fundit në polici, përfshi emërimin e drejtorit të ri Hysni Burgaj janë bërë për përmirësimin e rezultateve të punës.
Kriminaliteti
“Elementët kriminalë duhet të ndjejnë kudo presionin, forcën dhe goditjen e Policisë së Shtetit”, deklaroi Basha. Në të njëjtën kohë kritikat nuk munguan ndaj Policisë Rrugore. Ministri Basha gjatë takimit i kushtoi një hapësirë të veçantë edhe problematikave të qarkullimit rrugor, aksidenteve të shumta që po ndodhin në rrugët e vendit. Njëkohësisht ministri “akuzoi” deri diku si përgjegjës edhe vetë efektivat e Policisë Rrugore, duke u shprehur se ata tolerojnë, por edhe abuzojnë me detyrën. Basha i cilësoi të papranueshme tolerimet në këtë drejtim dhe kërkoi që subjektivizmi të shkojë drejt zeros. “Po përgatitet një masterplan masash me komponentët e duhur teknologjikë për të evidentuar të gjitha shkeljet e mundshme”, tha ministri i Brendshëm, duke shtuar se do të ketë ndryshime në legjislacion, të cilat sipas tij janë të nevojshme për përmirësimin e situatës.
DETYRAT e POLICISË
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha u kërkoi krerëve të Policisë së Shtetit të përmirësojnë rezultatet e punës së tyre dhe të rrisin efektivitetin e forcës zbuluese, parandaluese dhe goditëse ndaj kriminalitetit. Basha theksoi se arritja e parametrave të vendeve të BE-së në luftë kundër të gjitha veprimtarive kriminale dhe realizimi i detyrave të përcaktuara për Policinë e Shtetit në progres-raportin për Shqipërinë, përbëjnë edhe detyrimet kryesore për përfitimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. “Barra kryesore për liberalizimin e vizave bie mbi Policinë e Shtetit”, deklaroi Basha. Sipas tij, suksesi i policisë në përmbushjen e detyrimeve është përcaktuesi kryesor në premtimin më të madh të kësaj maxhorance, heqjen e vizave brenda vitit që vjen. Në të njëjtën kohë, ministri Basha paralajmëroi vazhdimin e reformës, e cila siç tha ai ka për qëllim rritjen e efektivitetit të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit financiar. Madje, sipas tij, për të shmangur abuzimet në detyrë, shumë shpejt të gjithë policët do të jenë në vëzhgim, pas përfundimit të një projekti me të cilin po punohet.
Ministri: E rëndë gjendja e aksidenteve
Gjatë takimit të djeshëm që u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të gjithë drejtuesit e policisë në qarqe, ministri Basha e konsideroi situatën e tanishme të aksidenteve rrugore si të frikshme dhe kaotike. Ai tha se ka shkelje të shumta, të cilat për më tepër në disa raste tolerohen nga punonjësit e policisë.
DETYRAT PËR POLICINE
1. Intensifikimi i betejës kundër krimit të organizuar.
2. Përdorimi i teknikave speciale dhe provave shkencore të hetimit.
3. Identifikimi dhe goditja e kultivuesve të bimëve narkotike.
4. Lufta me tolerancë zero kundër prostitucionit.
5. Hetimi dhe zbulimi i ngjarjeve të vjetra dhe ato të mbetura pa autor.
6. Forcimi i luftës kundër vjedhjeve dhe veprimtarive të tjera kriminale.
7. Mbajtja nën kontroll e kontingjenteve kriminalë.