E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë mes anijeve ushtarake të Koresë së Veriut dhe të Jugut



Blerina Olldashi

Forcat detare të Seulit kanë shkëmbyer zjarr me anijet detare të Koresë së Veriut në afërsi të brigjeve perëndimore. Një zëdhënës ushtarak në Korenë e Jugut e konfirmoi përplasjen, por tha se nuk kishte detaje të tjera. Njoftimet e shtypit të Koresë së Jugut thonë se shkëmbimi i zjarrit la anijen e patrullimit koreano-veriore të dëmtuar keq. Koreja e Jugut thotë se asnjë prej marinarëve nuk ishte plagosur. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për incidentin. Sipas forcës detare koreanojugore një barkë koreanoveriore patrullimi kaloi kufirin e kontestuar detar mes të dyja vendeve dhe nuk ndaloi pas të shtënave paralajmëruese. Ushtria koreanoveriore thotë se barka e patrullimit ishte në pjesën veriore të linjës ndarëse kur u qëllua dhe kërkon që Jugu të kërkojë falje. Kufiri detar që kalon në pjesën perëndimore të gadishullit korean, është caktuar nga komandantë të forcave të SHBA-së në fund të luftës koreane dhe është disktuar vazhdimisht nga Veriu. Ky incident nuk është pa precedent. Një përplasje e ngjashme në të njëjtën zonë la gjashtë koreanojugorë të vdekur në 2002 dhe të paktën 17 detarë koreanoveriorë njoftohet të jenë vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri mes anijesh në vitin 1999. Jugu e ka akuzuar Veriun se është përpjekur të provokojë incidente të tilla me qëllim që të rrisë tensionet. Javët e fundit, Peniani po përpiqet me forcë për bisedime direkte me SHBA-në, diçka për të cilën beson se do të ndihmojë për të sjellë lëshime më tepër se bisedimet gjashtëpalëshe. Incidenti i fundit vjen vetëm disa ditë përpara se presidenti Barak Obama pritet të vizitojë kryeqytetin koreanojugor. Agjencia e lajmeve të Koresë së Jugut, “Yonhap”, thotë se anijet e luftës të Koresë së Jugut qëlluan një flotë detare të Koresë së Veriut pasi një anije e tyre kaloi kufirin detar në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Agjencia e lajmeve thotë se anija e Koresë së Veriut ishte kundërpërgjigjur me të shtëna. Njoftimet thonë se nuk ka dëmtime nga pala e Koresë së Jugut. Koreja e Veriut shpesh rrit tensionet në prag të zhvillimeve të mëdha diplomatike rajonale. Incidenti ndodh ndërkohë që presidenti Barak Obama do të vizitojë rajonin këtë javë. Muajin e kaluar, flota detare e Koresë së Veriut akuzoi Seulin se po dërgonte anije luftë përgjatë kufirit për të nxitur tensionet dhe paralajmeroi se veprime të tilla mund të çojnë në shkëmbime zjarri.

Rritet numri i të infektuarve me A/H1N1 në Kosovë

Autoritetet shëndetësore japin alarmin për shtimin e numrit të të prekurve nga virusi A/H1N1 në Kosovë. Mësohet se që prej shfaqjes së parë në Kosovë të gripit të derrave, janë shënuar gjithsej 19 raste të reja të virusit A/H1N1, 6 prej të cilave janë evidentuar gjatë muajive të verës. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se në muajin dhjetor pritet mbërritja e vaksinës kundër gripit të derrave dhe fillimi i vaksinimit për kategoritë e riskuara. Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha institucionet shkollore të raportojnë mungesën e nxënësve për arsye shëndetësore, në mënyrë që të evidentohen rastet e reja të prekjeve nga virusi. Autoritetet theksojnë se po hasin probleme në rajonet e banuara me shumicë serbe, prej nga informacionet për të prekurit nga virusi janë të kufizuara.

PE: Liberalizimi i vizave nga 19 dhjetori

Parlamenti Europian sot në sesionin plenar duhet të japë dritën jeshile për heqjen e vizave shengen për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi që nga 19 dhjetori i këtij viti. Lajmi është konfirmuar për agjencinë e lajmeve maqedonase “MIA” nga eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila e përgatiti Raportin për liberalizimin e vizave të vendeve nga Ballkani Perëndimor.
Fajon thotë se është e sigurt që Parlamenti Europian do ta miratojë Raportin. Pritet që pjesë përbërëse e dokumentit të jetë edhe propozimi i Sllovenisë – që vizat shengen për tre vendet të hiqen nga 19 dhjetorit të këtij viti, në vend prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, siç propozoi Komisioni Europian. “Mendoj se është shumë reale të pritet që qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi të mund të udhëtojnë lirshëm në BE që prej 19 dhjetorit, gjatë Krishtilindjeve dhe festave të Vitit të Ri. Kjo do të ishte risi e madhe për njerëzit në rajon. Shpresoj se së shpejti, sapo t'i plotësojnë kriteret, do t'u bashkangjiten edhe qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës dhe të Shqipërisë”,- thekson Fajon.

Holandë
Tejlor kthehet në akuzues në Hagë

Ish-presidenti i Liberisë, Çarls Tejlor, ka dëshmuar në Tribunalin e Hagës se ishte manipuluar nga Nigeria gjë që çoi në arrestimin e tij dhe përballjen me drejtësinë ndërkombëtare. Zoti Tejlor përballet me krime lufte në gjykatën e posaçme për krime në Sierra Leone, për rolin e tij, siç pretendohet, në krime masive gjatë viteve 1990. Ai u largua nga pushteti dhe jetonte në Nigeri që prej vitit 2006 kur edhe u arrestua. Ai thotë se presidenti i Nigerisë në atë kohë, Olusegun Obasanjo, që është aktualisht i ngarkuar special për paqe i OKB-së e ka gënjyer atë.

SHBA
Ekzekutohet “snajperisti” i Uashingtonit

“Snajperisti i Uashingtonit”, i cili vrau 10 njerëz në vitin 2002 në rrethinat e kryeqytetit amerikan u ekzekutua dje me injektim vdekjeprurës, pasi Gjykata Supreme e refuzoi apelin për pezullimin e ekzekutimit. Xhon Alen Muhamad, 48 vjeç, u shpall fajtor në vitin 2004 dhe u dënua me vdekje në shtetin e Virxhinias, për shkak të të shtënave që e terrorizuan zonën e Uashingtonit. Ai u kap pas një gjahu të madh të policisë. Muhamad përdori pushkë snajper për t’i qëlluar viktimat e tij në qendrat tregtare, para shkollave dhe para pikave të karburantit.

Liban
Hariri formon qeverinë e unitetit

Kryeministri i caktuar i Libanit, Sad Hariri ka formuar qeverinë e unitetit kombëtar me 30 ministra, duke i dhënë fund kështu bllokimit disamujor që zgjaste që nga dita e zgjedhjeve të përgjithshme. 15 ministra janë nga koalicioni i Haririt, ndërsa pesë u emëruan nga presidenti Majkëll Suleiman. 10 ministrat e tjerë janë zgjedhur nga opozita, mes të cilëve janë edhe dy anëtarë të grupit islamik Hezbollah, që arriti një marrëveshje me Haririn javen e kaluar. Bllokimi mbi formimin e qeverisë së re kishte kërcënuar stabilitetin e Libanit.

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›