Policia rrugore vendos 8000 gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit

Mbi 8000 masa administrative janë marrë nga shërbimet e policisë në kryeqytet gjatë javës së fundit ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, me synim disiplinimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve automobilistike. Burime zyrtare të policisë të kryeqytetit bënë të ditur sot se, me synimin për të parandaluar aksidentet në rrugë, vetëm brenda 1 jave ( 6-11 shtator), shërbimet e policisë në kryeqytet, patrullat e përgjithshme dhe shërbimet e komisariatit të policisë Kavajë kanë vendosur 8073 masa administrative, me një vlerë prej 4. 777. 690 lekë. Sipas burimeve të mësipërme 5684 nga keto masa administrative janë dhënë vetëm në qytete, 2389 në rrugët e qarkut, ndërkohë që janë pezulluar 36 leje drejtimi automjetesh. Policia e Tiranës, duke kërkuar mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik, me qëllim parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, fton të gjithë përdoruesit e rrugës, të zbatojnë normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit si dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.
...