Policia sekuestron 10 kg marijuanë, ndalohen dy shpërndarësit
Gjirokastër –Policia ka sekuestruar dje në Gjirokastër rreth 10 kg marijuanë, si dhe ka ndaluar dy transportuesit nga Kosova dhe një tjetër nga Tirana. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, goditja e këtij rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nga fshati Lazarat në drejtim të Kosovës është bërë gjatë operacionit antidrogë të koduar “Dealers”. “Mëngjesin e së premtes, në rrugë operative ne morëm një informacion, i cili bënte fjalë për tre persona, dy prej tyre nga Kosova dhe tjetri nga Tirana, që pasi kishin blerë një sasi lënde narkotike në fshatin Lazarat, do të tentonin ta transportonin në drejtim të Tiranës dhe më pas për në Kosovë”, - thonë specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve. Gjatë veprimeve të para specialistët antidrogë kanë bërë të mundur evidentimin e tre personave të dyshuar në një zonë në dalje të qytetit të Gjirokastrës. “Të tre të dyshuarit qëndronin në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, ku dy prej tyre kishin nga një çantë shpine sportive, ndërsa tjetri kishte një çantë dore dhe po prisnin autobusin për të udhëtuar në drejtim të Tiranës”, - thonë burimet policore. Specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve kanë bërë menjëherë bllokimin e çantave si dhe shoqërimin e tre të dyshuarve; 20-vjeçarit Rinor Lila, Blerim Zeqirit 22 vjeç, të dy nga Kosova, si dhe Denis Fatës 23 vjeç, nga Tirana, për në ambientet e policisë lokale. Gjatë kontrollit në çantat që posedonin të tre të dyshuarit, policia zbuloi 8 pako me lëndë narkotike dhe një qese plastmasi me lëndë narkotike në formën e bohçes, që në total kishin rreth 10 kg marijuanë. B. Shehu