Kapen në doganë 6.5 tonë pula të sëmura, groposen të gjalla
Pogradec- Bllokohen në kufirin shqiptar 6.5 tonë pula që vinin nga Meqedonia, dhe që sipas specialistëve kërcënonin jetën e konsumatorëve shqiptarë. Më shumë se 10 mijë pulat u groposën të gjalla, ndërsa nuk bëhet me dije se cili ishte importuesi i tyre. Ngarkesa prej mëse një jave ka qëndruar e bllokuar në pikën e kalimit kufitar në Qafë-thanë, në një furgon të ngarkuar me pula të gjalla, të cilat vinin nga Maqedonia me destinacion tregun shqiptar. Në fakt ngarkesa ishte nisur nga fshati Veleshnjë i Maqedonisë, jo shumë larg doganë së Qafë-thanës, teksa destinacioni i tyre ishte qyteti i Elbasanit. Bllokimi është kryer nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sipas të cilit ka një urdhër të Ministrisë së Bujqësisë për moslejimin e pulave në fjalë, të cilat janë të sëmura. Ndërkaq, nga ana tjetër, po gjatë të premtes është vendosur që këto pula të groposen, por pa u bërë i ditur dhe vendi i përcaktuar për këtë gjë. “Këto janë pula skartimi, të cilat nuk lejohet të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për ne kjo ngarkesë është e paligjshme.”- u shprehën përfaqësues të AKU-së për gazetën. Gjithsesi ngarkesa prej 6.5 tonësh ka alarmuar të gjithë në doganën e Qafë-thanës, ndërsa është marrë në kohë masa për të evituar ndonjë problem që mund të shkaktohej te përdoruesit e këtyre pulave. I.V