E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati ndryshimi i akuzës ndaj Imelda Tashos

19/10/2004  TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda mund të ndryshojë akuzën ndaj Imelda Tashos. Ajo është akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe bashkëpunim në vrasjn e Genci Sinës, për të cilën akuzohet i fejuari i saj, Altin Arapi. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë dje se hetimet për vrasjen e Genci Sinës, shofer i Kryeprokurorit Sollaku, kanë përfunduar. “Shkaku i vonesës së dosjes për në Gjykatë, është pikërisht përcaktimi i pozicionin të Imelda Tashos në ngjarje. Ka disa prova, të cilat flasin për praninë e saj aksidentale në vendin ku ka ndodhur ngjarja”, thanë dje burimet nga organi i hetimeve. Sipas tyre, edhe gjurmët e lëna prej saj në vendin e ngjarjes, tregojnë një pakujdesi nga ana e saj. Imelda Tasho, 28 vjeçe, e fejuara e Altin Arapit, nëpërmjet një letre të botuar nga gazeta “Metropol”, i ka hedhur poshtë akuzat ndaj saj, dhe ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë qenë në vendin e ngjarjes, apo të ketë lënë gjurmë aty. Ajo ka pohuar se prej më shumë se një viti mbahet në qelitë e paraburgimit. Gjatë kësaj kohë, sipas saj, Prokuroria ka kryer disa shkelje proceduriale me afatet hetimore dhe se nuk ka siguruar prova të mjaftueshme për fajësinë e saj. Ajo e ka quajtur të papranueshëm faktin se akuzohet për armëmbajtje pa leje, nisur nga fakti se në shtëpinë e saj është gjetur një biçak, që gjendet në çdo banesë të zakonshme. Vrasja e Genci Sinës ndodhi më 29 shtator të vitit të shkuar. Një person, i cili ndodhej në ndenjësen e parë të taksisë, e cila kishte ndaluar në semafor përballë makinës së Genci Sinës, ka qëlluar mbi shoferin e Kryeprokurorit. Dy ditë pas ngjarjes, Prokuroria e Përgjithshme, në një komunikatë për shtyp, njoftoi se vrasja kishte ndodhur pas një shkëmbimi fjalësh mes Altin Arapit dhe Genci Sinës. Vetëm pak ditë më pas, Prokuroria njoftoi se vrasja nuk kishte qenë si pasojë e sherrit të momentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›