Dyfishohen rastet e zyrtarëve të korruptuar
19/10/2004 Dy herë më shumë zyrtarë të korruptuar këtë vit se vitin e shkuar. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, 9-mujori vitit 2004 ka regjistruar dyfishimin e rasteve të korrupsionit në radhët e administratës shtetërore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar 2003. Sipas statistikave, rezulton se nga janari e deri në fund të muajit shtator, pranë organit të akuzës kanë filluar 68 procedime penale për akuzën e shpërdorimit të detyrës nga punonjës të administratës shtetërore. E njëjta periudhë e vitit të kaluar ka shënuar vetëm 38 procedime të tilla. Pothuajse të gjitha procedimet penale që janë hapur ndaj ish-punonjësve të administratës shtetërore, krahas veprës penale të shpërdorimit të detyrës kanë konstatuar edhe dëme të konsiderueshme ekonomike që kapin shifrën e disa dhjetëra milionëve lekë të shkaktuar në arkën e shtetit. Burimet e organit hetimor thanë dje se procedimet më kryesore janë ndaj ish-punonjësve të shoqërisë anonime “Albtelekom”, ish-punonjësve të Bankës së Kursimeve, dhe atyre të Ministrisë së Rendit Publik, si dhe së fundi ndaj Alfred Shkurtit, zyrtar i Prefekturës së Tiranës. Ai është kallëzuar për ndjekje penale në Prokurori nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, për falsifikimin e 300 certifikatave dhe shitjen e tyre në tregun e zi.