E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncon tre policë për dhunë, "pendohet" dhe tërhiqet

19/10/2004  KORÇË - Kallëzim penal në Prokurorinë e Korçës, ndaj tre efektivave të Drejtorisë së Policisë së këtij qyteti. Ata akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë keqtrajtuar rëndë një qytetar të Korçës, pak ditë më parë. Burime nga institucioni hetimor në Korçë dhe nga Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë, pohuan dje se tre efektiva të Drejtorisë së Policisë së Korçës janë kallëzuar për ndjekje penale në Prokurori, për ushtrim dhune ndaj qytetarëve. Sipas kallëzimit penal, shtetasi Stathi Lako është keqtrajtuar nga tre policët, në afërsi të hotelit “Valbona”, në datën 11 tetor të këtij viti. Kallëzuesi ka depozituar në Prokurori raportin mjekësor të vizitës që ka kryer në spital, pas keqtrajtimit nga policët. Deri disa ditë pas ngjarjes, ai nuk ka mundur të depozitojë kallëzimin penal për dhunimin e tij, për shkak të ndërhyrjeve të forta.

Kallëzimi

Specialisti i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Korçës, Bajram Hyka, është kallëzuar për ndjekje penale, pak ditë më parë, nga shtetasi Stathi Lako. I keqtrajtuari ka akuzuar edhe dy policë të tjerë për keqtrajtimin e tij në datën 11 tetor të këtij viti. Sipas kallëzimit penal, policët kanë qenë të veshur civilë në kohën kur e kanë keqtrajtuar atë në afërsi të hotelit “Valbona". Ngjarja u konfirmua dje për gazetën “Metropol” nga burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë së Korçës. Sipas këtyre burimeve, tre punonjësit e rendit e kanë rrahur Stathi Lakon në kohën kur ai ishte takuar me vajzën e ekspertit të Krimeve të Rënda pranë Drejtorisë së Policisë së Korçës, Bajram Hyka. Dje në qytetin e Korçës kanë mbërritur edhe përfaqësuesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili po verifikon dhunën e policëve ndaj qytetarit.

Tërheqja

Burimet nga Prokuroria dhe nga Drejtoria e Policisë së Korçës thanë dje se kallëzimi penal, që është bërë pak ditë më parë ndaj Bajram Hykës dhe dy policëve të tjerë, është pushuar. “Personi që ka denoncuar, është paraqitur në Prokurori dhe ka kërkuar mbylljen e çështjes, duke u pohuar prokurorëve se ishte pajtuar me Bajram Hykën dhe dy policët e tjerë”, thanë dje burimet nga Drejtoria e Policisë së Korçës. “I kemi dhënë dorën njëri- tjetrit dhe jemi pajtuar”, i ka thënë policisë Stathi Lako, i cili pak ditë më parë kallëzoi penalisht policët, për keqtrajtimin e tij. Pas kërkesës së kallëzuesit për pushimin e çështjes, Prokuroria e Korçës ka vendosur të pushojë hetimet për ngjarjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›