E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nisin bisedimet PD-LZHK

11/05/2005  Përfaqësues të koalicionit kanë zhvilluar dje bisedimet për formulën e bashkëpunimit

Fraksionet e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar pranojnë marrëveshjen

Pavarësisht se krerët e LZHK-së janë deklaruar se do të dalin të vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, fraksione të ndryshme brenda saj nuk kanë hequr dorë nga ideja për një bashkëpunim pjesën tjetër të opozitës. Burime në PD bëjnë të ditur se nga një pjesë e lëvizjes monarkiste ka pasur takime, për të bashkëpunuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të njëjtat burime saktësojnë se dje është zhvilluar një takim mes përfaqësuesve të PD, aleatëve të saj dhe përfaqësuesve të LZHK-së që janë pro bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Të njëjtat burime shprehen se takimi ka qenë shumë konfidencial, ndërsa diçka më zyrtare pritet të zhvillohet ditët e ardhshme. Ndaj dhe është kërkuar zbardhja e emrave, që kanë nisur kontaktet e para mes të dy forcave, aq më shumë kur sekretari i Përgjithshëm i PD-së, që po zhvillon negociatat me aleatët, nuk ndodhet në Shqipëri.

Negociatat

Për të zhvilluar negociatat me partitë e djathta dhe aleatët, nga PD është caktuar sekretari i Përgjithshëm, Ritvan Bode. Të njëjtat burime shprehen se ai nuk ka qenë i pranishëm në takimin e djeshëm, pasi prej disa ditësh ndodhet në Vienë për arsye personale, pra takimi i djeshëm ka qenë jozyrtar. Biseda është zhvilluar në një nga lokalet e Tiranës dhe mësohet se përfaqësuesit që janë pro bashkëpunimit me PD të LZHK-së janë duke përgatituar dhe një draft mbi formulën e bashkëpunimit, i cili është në përpunim e sipër. Nga të njëjtat burime mësohet se nuk bëhet fjalë për lënie zonash të lira dhe bashkëpunime të tjera të kësaj forme. Marrëveshja përqëndrohet kryesisht në shmangien e sulmeve ndaj kandidatëve të të njëjtës parti dhe në zona të veçanta kandidatët të mbështesin njëri-tjetrin në mënyre respektive. Pra, në ato zona ku LZHK shkakton rrjedhje votash në sistemin mazhoritar për PD, por që nuk siguron dot numrin e duhur të votave të luftojë të marrë maksimumin në sistemin proporcional.

Iniciativa

Burimet shprehen se përkrahësit e koalicionit të LZHK-së që prej një jave kishin dhënë sinjalet e para për një afrim me PD, por kjo gjë nuk është bërë e mundur. Kjo temë është diskutuar dhe më parë mes përfaqësuesve të LZHK dhe atyre të PD, por sërish kontradiktat që lindën pas shkëputjes së një grupi partish, si dhe kundërshtimi i disa prej drejtuesve të lëvizjes ka bërë që deri më tani të mos arrihet diçka konkrete. Nga ana tjetër, krerët e lëvizjes shpresojnë të arrijnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare një rezultat të ngjashëm me atë që arriti pretendenti për fron në vitin 1997, kur shqiptarët votuan për mënyrën e sistemit, por në atë kohë kjo lëvizje mori në pjesën dërrmuese votat e PD-së. Vetëm një ditë më parë kreu demokrat Berisha u shpreh se nuk do të ketë marrëveshje me LZHK, pasi, sipas tij, Nano ka shtrirë duart në këtë lëvizje, duke akuzuar kështu një pjesë të drejtuesve të saj për bashkëpunim me të majtën.

Spahia: Do shikojmë formulën hap pas hapi

Kryetari i Partisë Lidhja e Legalitetit, Ekrem Spahia, tha dje për “Metropol” se LZHK do të dalë e vetme në 100 zona elektorale, por nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit në ato zona, ku mund të shmanget rrjedhja e votave. “Ashtu siç e ka deklaruar dhe mbreti, ne do të dalim me 100 kandidatë në të gjitha zonat elektorale. Për sa i përket pyetjes tuaj në do ketë ndonjë marrëveshje, kjo do të shikohet hap pas hapi, të paktën për ato zona ku as PD nuk i merr dot votat. Kjo bëhet me qëllim që të mos ketë rrjedhje votash drejt së majtës”, tha Spahia. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka në përbërje të saj parti që në zgjedhjet e vitit 2001, kanë qenë në koalicion me Partinë Demokratike dhe shumë prej deputetëve të saj i kanë marrë mandatet e deputetit pikërisht në sajë të këtij bashkëpunimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›