Gërdeci, nën akuzë Mediu me 19 zyrtarë
Trazhgim Sokolaj
Ish-zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm thirren të pandehur në Prokurorinë e Përgjithshme për implikim në tragjedinë e Gërdecit. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, ish-sekretarët e Përgjithshëm të këtij dikasteri Ardian Mullai dhe Adriatik Mema, ish-drejtori i Menaxhimit të Burimeve Shkëlzen Madani, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha me dy gjeneralë dhe tre kolonelë, janë thirrur në Prokurorinë e Përgjithshme si persona nën akuzë. Ata fajësohen për tragjedinë e Gërdecit, një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura 10-vjeçarin e fundit në Shqipëri me 26 të vdekur, 300 të plagosur dhe 5 mijë banesa të shkatërruara. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave ish-zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke shkaktuar tragjedinë e Gërdecit me veprimet dhe mosveprimet e tyre. Të pandehurit, shumica prej të cilëve emra publikë, pritet që ditën e sotme të paraqiten me radhë në Prokurorinë e Përgjithshme ku grupi i hetimit do t'u komunikojë akuzat përkatëse të ngritura ndaj tyre.
Gërdeci, 20 të pandehur
Pa kaluar shumë kohë nga ndryshimi i drejtuesit të hetimeve dhe disa muaj pasi dosja "Gërdeci" hyri në një standard hetimi larg vëmendjes mediatike, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur. Prej ditës së diel, në banesat e tre gjeneralëve, tre kolonelëve, ish-ministrit të Mbrojtjes dhe zyrtarëve të tjerë të dikasterit të tij, postieri zyrtar ka dërguar nga një shkresë zyrtare të dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme. Kjo e fundit ka lajmëruar në shtëpi secili nga 20 të pandehurit se duhet të paraqiten në organin qendror të akuzës ditën e mërkurë (sot) për t'u komunikuar akuzën. Shumica prej të pandehurve konfirmuan dje se i kanë marrë fletëthirrjet në fjalë me përjashtim të ish-ministrit Mediu dhe disa zyrtarëve të tjerë të Ministrisë. Për këta të fundit nuk ka qenë i mundur një konfirmim, ndërsa gjeneralët dhe ushtarakët e tjerë pohuan se ishin vënë në dijeni për thirrjen. Asnjëri nga personat e thirrur në Prokurori, nuk preferoi dje të bënte komente duke pohuar se do të paraqitet dhe të dëgjojë pretendimet e akuzës në mënyrë që më pas të mbajë qëndrim lidhur me veprimet për të cilat fajësohet nga Prokuroria e Përgjithshme. Ngjarja e pazakontë e Gërdecit duket se do të dërgojë në gjykatë një numër po aq të pazakontë zyrtarësh dhe ushtarakësh të pandehur në një çështje të vetme.
Fletëthirrjet
Shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme dërguar në adresë të 20 personave të pandehur ka qenë e njëjtë për të gjithë: "Për nevoja të procedimit penal, kërkojmë paraqitjen tuaj në Prokurorinë e Përgjithshme në orën e shënuar në këtë letër për t'ju komunikuar akuzën". Prokuroria e Përgjithshme deklaroi dje se vendimi për të marrë të pandehur 20 ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm është marrë pas grumbullimit të më shumë se 200 dëshmive, kryerjes së qindra veprimeve hetimore që nga akt-ekspertimet deri tek sekuestrimi i dokumenteve dhe pas një analize tërësore të provave që janë grumbulluar në dosje.
Të pandehurit
Fatmir Mediu
Ish-ministër i Mbrojtjes
Ardian Mullai
Ish-sekretar i Përgjithshëm
Adriatik Mema
Ish-sekretar i Përgjithshëm
Shkëlzen Madani
Ish-drejtor i Burimeve dhe Menaxhimit
Gjeneral-lejtnant, Luan Hoxha
Ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm
Gjeneral major, Shpëtim Spahiu
Komandant i Forcës së Bashkuar
Gjeneral Brigade, Zija Bahja
Komandant i Komandës Mbështetëse
Kolonel Hilmi Laçi
Ish-drejtor i Drejtorisë së Armatimit e Municioneve në Shtabin e Përgjithshëm
Kolonel Dashnor Çaushi
Drejtor i Drejtorisë së Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm
Kolonel Kadri Sulaj
Komandanti i Brigadës së Furnizimit pranë Komandës së Mbështetjes Logjistike
Ylli Pinari
Ish-drejtor i ndërmarrjes shtetërore MEICO
Mihal Delijorgji
Kontraktues i MEICO-s, pronar i fabrikës së çmontimit në Gërdec
Dritan Minxolli
Ish-drejtor i fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec
Sot maratona e zyrtarëve në Prokurori
TIRANE - Ndoshta kurrë më parë brenda një dite, nuk kanë qenë aq zyrtarë sa janë thirrur të paraqiten sot në Prokurori. Plot 17 ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm pritet të kalojnë ditën e sotme portën e hekurt të Prokurorisë së Përgjithshme për t'u njohur me akuzat e ngritura ndaj tyre për tragjedinë e Gërdecit. Pesë prokurorë dhe 20 oficerë që bëjnë pjesë në supergrupin e hetimit, kanë bërë dje përgatitjet e fundit me shkresat dhe formalitetet e tjera të nevojshme, në mënyrë që të pandehurve t'u komunikohen akuzat gjatë ditës së sotme në Prokurorinë e Përgjithshme.
Zbulohet telefonata që kërkoi 20 ish-zyrtarët në Prokurori
Trazhgim Sokolaj
Të ndarë nga fati por ndoshta edhe nga tragjedia e rëndë e Gërdecit, ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm janë kthyer të dielën, më 7 shkurt 2009, protagonistë të së njëjtës ngjarje.Disa oficerë të Prokurorisë së Përgjithshme kanë telefonuar me radhë njëri pas tjetrit, të gjithë zyrtarët e pandehur për tragjedinë e Gërdecit, duke filluar nga ish-ministri Fatmir Mediu, deri te zyrtari apo ushtaraku i nivelit më të ulët. “Po ju marrim nga Prokuroria e Përgjithshme, duam të konfirmojmë nëse jeni në shtëpi pasi do t`ju sjellim një shkresë me postë zyrtare”. Këto kanë qenë fjalët e artikuluara në telefon dhe disa orë më pas, secili nga zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm ka marrë në adresën e tij të banimit, fletë-thirrjen për paraqitje në Prokurori, për t’u marrë i pandehur. Shumica nga titullarët e ministrisë apo të Shtabit, kanë lënë detyrat që pas tragjedisë së Gërdecit, pasi dhanë dorëheqjen apo u shkarkuan në formë ndëshkimesh administrative. Edhe pse dikur kishin punuar ngushtë, për shkak të angazhimeve intensive që kërkonte fusha e mbrojtjes, zyrtarët e Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm, jo vetëm që lanë detyrat por edhe u ndanë dukshëm pas tragjedisë së Gërdecit. Herë me një artikulim të qartë e pa ekuivok e herë me një nëntekst të kujdesshëm por domethënës, ushtarakët fajësuan administratën politike të Ministrisë së Mbrojtjes, duke pohuar se kishin zbatuar vetëm urdhrat në gjithçka që kishte të bënte me tragjedinë e Gërdecit. Nga ana tjetër, ish-ministri i Mbrojtjes Mediu publikisht por edhe zyrtarët e tjerë të dikasterit gjatë deklarimeve në Prokurori, mohuan përgjegjësinë. Ata deklaruan se ushtarakët, të cilët ishin angazhuar në terren me përzgjedhjen dhe transportin e sasisë së armatimit dhe me veprimet e përditshme që kryente ushtria për furnizimin e fabrikës së Gërdecit, nuk kishin sinjalizuar për probleme apo rreziqe.
Mediu, i pari në Prokurori
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu pritet të jetë sot i pari mes të pandehurve që paraqitet në Prokurorinë e Përgjithshme. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme nuk bënë asnjë koment, megjithatë mësohet se kryetari dhe deputeti i Partisë Republikane është thirrur të paraqitet në orët e para të mëngjesit në organin qendror të akuzës. Pas tij mësohet se është kërkuar të merret i pandehur ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha dhe gjithë ish-zyrtarët dhe ushtarakët e tjerë me radhë. Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu, në fund të prillit 2008, Prokuroria ka renditur rreth 20 shkelje të pretenduara se janë kryer nga ish-kreu i dikasterit të Mbrojtjes. Sipas Prokurorisë, Mediu akuzohet se ka abuzuar me lejimin e nënshkrimit të kontratave me dy firma të pa licencuara, për procesin e demontimit, duke shkelur aktet ligjore. Ministri, sipas akuzës, ka lejuar përzgjedhjen e gabuar të vendit të demontimit, duke rrezikuar jetën e personave që punonin e banonin në Gërdec, në shkelje të rregullores së Ministrisë së Mbrojtjes të vitit 2003. Prokuroria thotë se Mediu ka lejuar shkeljen e rregullave për procesin e demontimit, duke rrezikuar jetën e personave që punonin me municionet në Gërdec. Sipas akuzës, ish-ministri ka shpërfillur procedurat ligjore të nënshkruara prej vetë atij për demontimin e municioneve, ka shmangur Forcat e Armatosura nga mbikëqyrja e procesit të demontimit dhe ka lejuar demontimin e kalibrit të madh, si dhe ka krijuar kushtet që kompanitë SAC dhe ALBA-DEMIL të bënin pa leje demontim dhe eksportim të municioneve.
Prokuroria: Asnjë koment zyrtar për “Gërdecin”
TIRANE – Thirrja e 20 ish-zyrtarëve dhe ushtarakëve në Prokurorinë e Përgjithshme, për t’u marrë të pandehur e më pas për t’u pyetur për herë të fundit për tragjedinë e Gërdecit, tashmë është një fakt i pa kundërshtueshëm. Megjithatë Prokuroria e Përgjithshme nuk preferoi dje të bënte asnjë koment lidhur me këtë çështje, duke pohuar se në momentin e duhur do të bëhet publike gjithçka që parashikon ligji dhe Kodi e Procedurës Penale. Sipas organit qendror të akuzës, në parim thirrja e një personi për t’u marrë në cilësinë e të pandehurit, është një veprim hetimor gjatë të cilit të akuzuarit i krijohet mundësia të japë deklarimet apo objeksionet e veta verbale apo me shkrim. “Gjithsesi është një veprim hetimor dhe si i tillë mbetet sekret, deri në momentin kur procedura nuk e ndalon publikimin e tij”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. t.s
Dy kontratat që sollën Gërdecin
Çmontimi i municioneve në zonën e Gërdecit, tek ish-reparti i Tankeve, është bërë në kuadër të kontratave që Ministria e Mbrojtjes dhe konkretisht ndërmarrja MEICO, nënshkruan fillimisht me kompaninë amerikane “Southern Ammounition Co” dhe më vonë edhe me kompaninë “Alb-Demil” të Mihal Delijorgjit. Çmontimi është kryer nën pretekstin e asgjësimit të municioneve të tepërta dhe të vjetërsuara nga ushtria shqiptare, si një nga kushtet që i ishte vënë vendit tonë për afrimin e Forcave të Armatosura me aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO. Megjithatë në Gërdec, sipas hetimeve, rezultoi se nuk ishin zbatuar rregulloret e ushtrisë shqiptare, pasi i gjithë procesi ishte ndërtuar mbi interesa të përfitimit financiar.
Shkelja e rregullave të sigurisë
Hetimet e Prokurorisë shqiptare kanë provuar se çmontimi i municioneve në Gërdec është kryer jashtë të gjitha kushteve të nevojshme të sigurisë. Intensiteti i çmontimit ka qenë shumë i lartë, kushtet nuk janë respektuar, mjetet e punës mungonin, ndërsa mes predhave e barutit dëshmitarë të Prokurorisë kanë parë se si drejtuesit e fabrikës apo persona të tjerë tymosnin cigare, duke rrezikuar seriozisht shpërthime apo flakë. Nga ana tjetër, titullarët e fabrikës së çmontimit kishin lejuar punësimin e të miturve dhe personave të tjerë të pa trajnuar, me mënyrat specifike e të kujdesshme të çmontimit të municioneve të lehta e më pas predhave të artilerisë së rëndë, të cilat dërgoheshin për demontim në Gërdec me mjetet e ushtrisë shqiptare.