Tre përdhunues bien në pranga
Etleva Delia/Hasan Pasha
Tre persona u arrestuan dje në Kavajë dhe Dibër, pasi akuzohen për veprime të turpshme dhe abuzim seksual me të mitura. Idriz Hoxha, i dënuar në mungesë një vit më parë me 1 vit e 8 muaj burg dhe Arjol e Hysen Laçi janë vënë në pranga nga uniformat blu me akuzën e kryerjes së veprave të turpshme, marrëdhënie me dhunë me të mitur dhe heqje të paligjshme të lirisë. Burime nga policia bënë të ditur se 59-vjeçari Hoxha, nga fshati Lekaj i Kavajës, është shpallur fajtor nga gjykata e Durrësit një vit më parë, pas denoncimit që kanë bërë prindërit e dy vajzave të mitura 8 dhe 12-vjeçare. Ndërkohë vëllezërit Arjol dhe Hysen Laçi janë arrestuar në Dibër, pasi ishin shpallur në kërkim për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur dhe heqje në mënyrë të paligjshme të lirisë së personit. Ata akuzohen se në shkurt të 2008-ës kanë rrëmbyer vajzën me iniciale S.D., 13 vjeçe dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj, duke e mbajtur peng në banesën e Bajram Xhavit Laçit në fshatin Kastriot. Arrestimi është bërë pas kallëzimit nga e dëmtuara, ndërsa pronari i shtëpisë është vënë nën akuzë për fshehje të krimit.
ARRESTIMI NE KAVAJE
Ishin prindërit e dy vajzave të mitura që kryen kallëzim penal një vit më parë, ata që bënë që Gjykata e Durrësit të shpallte fajtor Idriz Hoxhën, 59 vjeç, një bari nga fshati Okshtun në komunën Lekaj të Kavajës. Ai akuzohet për veprat penale të "ngacmimit seksual dhe veprave të turpshme me të mitura". Njëra prej nënave ka thënë se ka gjetur fëmijën e saj gjatë kërkimeve jo shumë larg fshatit, gjysmë të zhveshur dhe afër me të dyshuarin që e prekte. Policia më pas ka verifikuar të gjitha dëshmitë dhe ka mundur të zbardhë ngjarjen, ndërkohë që i dyshuari njihet edhe si njeri me luhatje mendore. Dëshmitë e dy vajzave një vit më parë në prezencë të një psikologu, kanë tronditur oficerët e policisë. Nëna e njërës prej tyre ka rrëfyer se e kishte gjetur të bijën gjysmë të zhveshur, ndërsa bariu e prekte nga trupi. Idriz Hoxha gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje ka mohuar të kishte ngacmuar të miturat, apo t'i kishte dhunuar ato seksualisht. Por pas hetimeve që janë kryer në lidhje me dy ngjarjet e ngjashme, është zbuluar se 59-vjeçari ka kryer edhe herë të tjera vepra të turpshme me vajza të mitura. Dy të miturat kanë rrëfyer me detaje çfarë kishte ndodhur. Madje, një prej vajzave, ajo 8-vjeçare, mësohet se ka treguar se kjo nuk ishte hera e parë që bariu e detyronte të zhvishej.
Të arrestuar
Idriz Hoxha,
në Kavajë
Arjol Laçi,
në Dibër
Hysen Laçi,
në Dibër
Tre të arrestuarit, një vit në kërkim
Të tre personat që janë arrestuar dje nga policia e Kavajës dhe ajo e Dibrës dhe që akuza për të cilën ata janë vënë pas hekurave ka pothuajse të njëjtën fabul, ishin persona të shpallur në kërkim prej gati një viti. Madje, njëri prej tyre e kishte marrë dënimin në Durrës dhe i mbetet për të vuajtur edhe 1 vit e 8 muaj në burg. Ndërkohë që dy vëllezërit e arrestuar në Dibër pritet që të marrin në dy ditët në vazhdim masën e sigurisë.