E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti, pa para për të ndihmuar një 13-vjeçar

APELI/ Sadam Dekovi duhet të bëjë transplantin e veshkës menjëherë pasi jeta e tij është në rrezik


SHKODËR - Është 13 vjeç, djalë i vetëm dhe ëndërron të bëhet pianist, por rrezikon të humbasë jetën pasi nuk ka paratë e nevojshme për të bërë transplant të veshkës. Sadam Dekovi është nxënës në klasën e gjashtë të shkollës së muzikës "Prenkë Jakova" në Shkodër në degën e pianos, por që më 18 dhjetor të vitit të kaluar ndodhet në spital. I lindur me një veshkë,.......................... veshka tjetër i është sëmurur dhe rrezikon humbjen e jetës.

Pas qëndrimit një javë në spitalin e Shkodrës, ai u dërgua në Tiranë. Mjekët specialistë në qendrën spitalore "Nënë Tereza", ku vazhdon të jetë i shtruar, i dhanë si mundësi të vetme shpëtimi transplantin e veshkës , pasi të gjendej një dhurues.


Por, pas gjetjes së dhuruesit, një tjetër problem, lindi: paratë. E ndërsa i kërkuan Ministrisë së Financave para, ajo u tha që kjo gjë mund të shpresohej vetëm në 6-mujorin e dytë, kohë në të cilin 13-vjeçari mund të mos jetë më.


Familja Dekovi


Familja e Sadamit jeton në kushte të vështira ekonomike në fshatin Shtoj i Vjetër në Shkodër, ku pesë pjesëtarët e familjes kanë si burim të ardhurash vetëm një pagë mujore të vogël të babait të Sadamit, i cili punon si rojë kalese pranë mbikalimit të hekurudhës.


Në familjen e tij janë tre fëmijë: Sadami dhe dy motra, dhe shtëpia është e vjetër e pikon gjithandej. E vetmja mundësi që Sadami të jetojë, është transplanti i veshkës. Sipas tezes së tij, Sulltana Shkreli, në Tiranë i kanë thënë të gjejnë dhurues pasi për operacionin përgjigjet shteti.

Zbulimi i dhuruesit


Familjarët e të afërmit e Sadamit 13-vjeçar kanë bërë analizat përkatëse ku vetëm tezja e tij Sulltana ka rezultuar e përshtatshme për dhurim. "Sapo morëm përgjigjen e analizave të përshtatshmërisë së veshkës, ku unë jam e gatshme të jem dhuruese, plotësuam të gjithë dosjen me dokumentacionin përkatës dhe e dërguam në Ministrinë e Shëndetësisë.

Aty u miratua rasti i Sadamit, që kërkon ndërhyrje të shpejtë pasi i mbeten shumë pak ditë jetë. Na drejtuan në Ministrinë e Financave për t'u interesuar për fondin përkatës për përballuar shpenzimet e transplantit, por të hënën ministri Ridvan Bode na dha përgjigje se nuk ka fonde dhe se duhet shpresuar për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Por jeta e Sadamit nuk pret deri atëherë",- thotë e përlotur tezja e tij.

Apeli

Sulltana së bashku me familjarë të tjerë, me drejtorin e shkollës artistike ku ai mëson, me mësues e përfaqësues të nxënësve apelojnë për ndihmë jo vetëm për shtetin, por dhe për privatët, njerëzit e zakonshëm e kushdo që ka mundësi t'i ndihmojnë për të shpëtuar jetën e Sadamit 13-vjeçar.

"I kërkojmë ndihmë gjithë njerëzve që të shpëtojmë jetën e 13-vjeçarit, u kërkojmë bizneseve, shoqatave, shtetit dhe kujtdo që ka mundësi",- shprehen të përlotur të afërmit e Sadamit që vazhdon të jetë i sëmurë në Tiranë.

Ndërsa drejtori i shkollës artistike ku mëson Sadam Dekovi, shkrimtari Paulin Selimi, u bën apel të gjithë bashkëqytetarëve për të ndihmuar që Sadami që jetojë. Senatorja e shkollës, Dorina Garuci, apelon që të ndihmohet nga të gjithë që 13-vjeçari të qëndrojë në jetë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›