E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ç'na bën të ndryshëm?

Nuk ka, pra, si mos të ndjehesh ligsht kur mwson se edhe federata trikokëshe e Bosnjës, e përçarë, me probleme të thella etnike dhe prirje edhe për separatizëm formal (përveçse të materializuar tashmë) të Republikës Serbska, ka infrastrukturw shumw mw tw rregullt se vendi yt. Nuk ka sesi mos të ndjesh një lloj trishtimi kur sheh se rrugwt tona nuk përfundojnë kurrë; ku për pak kilometra të duhet kaq shumë kohë, amortizim makine dhe naftë e shtrenjtë, sa të heq çdo lloj dëshire për eksplorim. Trishtim edhe kur konstaton që maqedonasit, të cilët ende diskutohen nëse kanë një shtet të pakontestuar nga pothuajse të gjithë fqinjët apo jo dhe me probleme të shumta etnike etj., janë ku e ku më të papenguar në lëvizjen e lirë drejt vendeve evropiane se shqiptarët fatkëqij, të cilët me stoicizëm vazhdojnë të qëndrojnë në krye të listës së popujve më pro-Evropë, pro-Amerikë, pro-NATO, pro-civilizim perëndimor, pro-gjithçkaje që për ta nënkupton progresin, racionalitetin, prosperitetin dhe vlerat.
Përse atëherë ky fat i keq? A mos ndoshta gjenetikisht jemi një popull që nuk bëhet, që na mungon aftësia shtetformuese, apo që bëjmë gjithnjë zgjedhje të gabuara, të prirur nga një patologji që na e bën të nevojshme dëshirën për t`u gënjyer? Ndoshta atëherë është i vërtetë ai mallkimi Leninian që 'çdo popull ka qeverisjen që meriton'. Por nuk ka si mos të reflektosh edhe për faktin që, shqiptarët, në këto 19 vite demokraci, kanë votuar thuajse gjithmonë për alternativën më të mirë, apo e thënë ndryshe të keqen më të vogël.
Pra, mund të deduktohet që jo rastësisht shqiptarët kanë ditur të bëjnë zgjedhjet e duhura me limitet e ofruara nga mundësitë e zgjedhjeve politike. Problemi, më tepër se te shqiptarët, është te mundësitë e pakta që u janë ofruar, mungesa e alternativave, shpërdorimi i besimit të tyre që ata e kanë shfaqur në kutitë e votimit, neglizhenca që u është bërë sipas shprehjes së njohur popullore "kalova lumin, të dhjefsha kalin" dhe pamundësia për të detyruar të zgjedhurit e vet që të mbajnë premtimet, përveç mjeteve të limituara, nga të cilat ai i medias (asaj të lirë dhe jo të kapur), është për t`u veçuar dhe theksuar më fort.
Edhe qenia jonë si një ishull i veçuar edhe në kontekstin ballkanik, një fenomen sui generis që u mbijeton ndryshimeve që ndodhin rreth e rrotull nesh, është kthyer tashmë në një mit, pasi shpesh është thjesht çështje perceptimi dhe klima armiqësore e klasës politike, antagoniste dhe e fragmentizuar, kurthet elektorale apo 'kapja e shtetit', nuk mund të jenë përfaqësues të asaj që na bën të ndryshëm me të tjerët. Përkundrazi, edhe në ato raste ku diferencohemi me të tjerët, si shkalla e individualizmit dhe mentalitetit perëndimor, sekularizmi dhe toleranca fetare, respektimi dhe mikpritja e të huajit apo fenomene të ngjashme, jemi modele pozitive që kanë pak të bëjnë me deformimet e klasës politike. Me fjalë të tjera, pak apo aspak i meritojmë epitetet e tmerrshme, me të cilat shpeshherë na referojnë apo edhe rëndom i referohemi njëri-tjetrit, shpesh të nxitur nga një dëshirë e fshehur mazokiste, që vjen si rrjedhojë logjike e një diskursi të kapur në një rreth vicioz, ku ne shajmë dhe shfryjmë, ndërkombëtarët përpilojnë raporte bazuar në këto shfryrje dhe këto pastaj na përsëriten si citatet e Maos, pikërisht nga ata politikanë që janë fajtorët kryesorë në radhë të parë. Dhe ky është një nga paradokset e kthyer në paradigmë, që na pengon të shohim përtej konstatimit, përtej zgjidhjeve dhe mendimit konstruktiv, përtej debatit kritik, por jo nihilist dhe përtej pamundësisë për të ndryshuar, që tashmë është kthyer jo më thjesht në nevojë, por tashmë në domosdoshmëri.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›