E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnia Reloaded

Nëse vazhdohet kështu, Kosova do të shndërrohet në një Bosnje të dytë në Ballkan. Titulli përfundimtar i filmit evropian "Kosova" do të jetë "Bosnia Reloaded". Lart, protektorati ndërkombëtar, me në krye përfaqësuesin e Javier Solanës, poshtë ndarja e institucioneve dhe e territorit mbi baza etnike, kurse ndërmjet këtyre, politikanët vendas që vjedhin e rrejnë. Qytetarët mbesin të ngujuar dhe shtrydhen për ta mirëmbajtur burokracinë enorme. Ata u ngjajnë njerëzve në inkubator te filmi "Matrix", të cilëve makina gjigante ua merr energjinë e trupit për të funksionuar vetë ajo.
Çfarë është bërë e sajuar për dy javë në Konferencën e Daytonit për Bosnjen, në Kosovë do të bëhet për disa vjet. Republikën Serbe të Bosnjes e bëri Richard Holbrooke shpejt e shpejt, meqë në Bosnje atëbotë po bëhej luftë dhe gjendja ishte emergjente. Republikën Serbe në Kosovë po e bën dalëngadalë Pieter Feith-i (por edhe Lamberto Zannier-i e Yves de Kermabon-i) meqë në Kosovë ka paqe dhe situata është e qetë.
Ndarja e Bosnjes në dy entitete e përjetësoi atje paradigmën ndërkombëtare për stabilitet (pa zhvillim). Që prej 13 vitesh e gjithë energjia dhe koha u shpenzua në ruajtjen e një uniteti formal, fiktiv e artificial të vendit. Në hartën e Evropës, Bosnja duket si një shtet i vetëm, porse aty brenda i gjen së paku dy shtete, ku policia, gjyqësia, ushtria, arsimi e shëndetësia mbesin tërësisht të ndara. Asaj rruge po e shpiejnë edhe Kosovën. Kosova do të vazhdojë të jetë shtet jonormal, do të vazhdojë të quhet rast 'sui generis', me të cilin do të vazhdohet të eksperimentohet. E, në një këso vendi, nuk do të ketë investime nga jashtë dhe as progres ekonomik. Në një këso vendi do të ketë veçse korrupsion dhe mjerim social.
Me Lamberto Zannier-in, Yves De Kermabon-in dhe Pieter Feith-in, Kosova nuk mund të jetë vend demokratik. Këta burokratë ndërkombëtarë e mishërojnë autoritetin sovran që e ka fjalën e fundit sikurse mbreti. Nuk ka asnjë institucion a organ të Kosovës, të cilit këta i japin llogari, nuk ka asnjë institucion a organ të Kosovës që nuk është përfund tyre, dhe nuk ka asnjë ligj apo rregull të Kosovës, i cili mund t'u bëjë gjë këtyre. Demokracia me këso instancash politike s'është e mundur në asnjë prej varianteve të saj, as si liberaldemokraci dhe as si socialdemokraci. Prandaj, të gjithë ju, të dashur politikanë e analistë që e mbani veten për përkrahës të demokracisë, ose braktisni parimet tuaja dhe mbështeteni sundimin jodemokratik ndërkombëtar mbi neve, ose luftojeni këtë sundim në emër të parimeve tuaja për demokracinë. Edhe demokracia liberale apo socialdemokracia në njërën anë, edhe Zannier-i, Feith-i e Kermabon-i në anën tjetër, bashkë nuk shkojnë. Përndryshe, sjellja juaj është hipokrizi. Përndryshe, qëndrimi juaj është vetëracizëm ose mazohizëm. Nuk ka se si të interpretohet ndryshe mbështetja juaj për demokracinë si parim dhe dobi për popujt dhe shtetet në përgjithësi, e kombinuar me gatishmërinë tuaj të veçantë që ajo të suspendohet pikërisht për popullin, të cilit i takoni e në shtetin ku jetoni.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›