E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia shqiptare, në trafikun e femrave

 Raporti i një OJF-je në Parlamentin Britanik akuzon policinë shqiptare për përfshirje në trafik

LONDËR- Një organizatë jo-fitimprurëse në Britani ka akuzuar policinë shqiptare jo vetëm për mbylljen e syve përballë fenomenit të trafikimit të femrave drejt Britanisë, por edhe për përfshirje aktive. Përfaqësuesja e "Poppy Projekt" ka pohuar para Komitetit Parlamentar Britanik se autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri dhe Nigeri janë akuzuar se janë përfshirë aktivisht në trafikimin e femrave drejt Britanisë së Madhe, ose mbyllin sytë para këtij fenomeni. Kjo organizatë jo-qeveritare në Britani, e cila ka në fokus femrat në rrezik trafikimi ka ngritur akuza ndaj qendrave të punës për drejtimin e grave drejt prostitucionit. Përfaqësuesja e "Poppy Project", Denise Marshall ka raportuar para Komitetit Parlamentar Britanik se vajzave 17-vjeçare u janë ofruar punë në industrinë e seksit. Ajo ka akuzuar qeverinë se ka ofruar punë të tilla si kërcimtare "striptize" apo shoqëruese. Departamenti i Punës dhe i Pensioneve thase rastet e mësipërme mund të kenëndodhur në qendrat e punës. Drejtoresha e "Poppy Project", Marshall tha se ka pasur kontakte me dy vajza 17-vjeçare, të cilat kishin shkuar në një qendër punë, ku i janë ofruar disa vende të lira pune. Ajo i ka thënë komitetit: "Mamaja e tyre dhe motra e madhe na ka kontaktuar, pasi ato ishin tej mase të shqetësuara për atë që kishte ndodhur". Ofroheshin punë të tilla si kërcimtare të zhveshura, shoqëruese të rriturish apo në agjenci shoqëruesesh. Marshall shtoi se mosha e aplikantëve nuk monitorohej nga sistemi kompjuterik i qendrave të punës. "Dhe kur ju i ofroni 20 pound në orë një 17-vjeçareje të zhvishet para kamerave, pak shanse ka që ajo mos ta pranojë këtë punë",-ka thënë ajo, pas seancës dëgjimore. Zonja Marshall pohoi se nuk ka zbuluar ndonjë rast, kur vajzat të jenë përfshirë në prostitucion, duke shtuar: "nuk ka ndodhur ende, por do të ndodhë". " Poppy Project" ka paralajmëruar disa qendra pune në Londër, përveç protestës që i ka drejtuar Departamentit të Punës dhe Pensioneve, që drejton këtë rrjet qendrash. Ndërsa ky departament ka thënë se qendrat e punës duhet të lajmërojnë vendet e lira, që pas rastit të dyqanit të seksit tëAnn Summers, në vitin2003. Gjykata e Lartë ka vendosur asokohe lejimin e reklamimeve për punë legale ku përfshihen seksi apo shërbime personale.

REAGIMI

Policia e Shtetit: Policia  s'është përfshirë në trafikim

TIRANË- Policia e Shtetit ka reaguar dje për deklarimin e "Poppy Project", e cila ka akuzuar policinë shqiptare për trafikimin e femrave drejt Britanisë së Madhe. " E ndjejmë të nevojshme të sqarojmë opinionin publik se bashkëpunimi midis policisë shqiptare dhe asaj britanike është në nivelet me të larta historike. Në gjithë këtë periudhë bashkëpunimi intensiv e tejet rezultativ, përfshi këtu edhe kontaktet e drejtuesve të lartë të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë edhe me drejtues të shoqatës "Poppy Project", nuk është ngritur asnjëherë problemi i trafikut të femrave nga Shqipëria për në Britani, e aq më pak i përfshirjes në të të zyrtarëve shqiptare",- pohoi dje zëdhënësi i Policisë së Shtetit. Më tej, ai ka shtuar se gjatë dy operacioneve të fundit në Londër për të goditur prostitucionin në pube apo qendra masazhi është zbuluar vetëm një vajzë shqiptare. "Policia e Shtetit gjen rastin të shprehë edhe njëherë konsideratën për organizatën "Poppy Project", duke rikonfirmuar edhe njëherë vendosmërinë për të luftuar me tolerancë zero trafiqet e paligjshme. "Motori i fundit", operacioni i koduar kundër hajdutëve të çantave. Shqetësues edhe hajdutët e shtëpive dhe makinave

Krimi i rrugës, hajdutët  sfidojnë policinë në Tiranë

Klodiana Kotorri

TIRANË- Krimi në rritje i rrugës ka detyruar policinë e Tiranës të organizojë operacione për kapjen e hajdutëve.Prej dy ditësh, efektivat e policisë së komisariatit nr.2, dhe nr.3 në Tiranë kanë ndërmarrë një aksion për identifikimin dhe kapjen e hajdutëve të çantave. Burime nga policia thanë se ditët e fundit në këto komisariate ka pasur fluks denoncimesh nga qytetarët, të cilët deklarojnë se u kanë vjedhur çantat në rrugë persona të panjohur. Nga të dhënat fizike që denoncuesit kanë deklaruar për autorët e vjedhjeve polici, është zbuluar se hajdutët largoheshin me motorë. Sipas policisë, dyshohet se në shumë vjedhje çashtash ka "gisht" vetëm një person, ndërsa policia bën të ditur se ka edhe persona të tjerë të cilët kryejnë vjedhje çantash në zona të ndryshme të kryeqytetit. Autorët veprojnë kryesisht në zonën e "Tiranës së Re" në rrugën "Irfan Tomini", rrugë e "Durrësit", "Myslym Shyri", rruga e "Dibrës", në zonën e ish-Bllokut, etj. Kështu prej dy ditësh inspektorët e komisariatit nr.2, dhe nr.3, kanë organizuar një operacion të koduar "Motori i fundit", gjatë të cilit janë shoqëruar mbi 50 të dyshuar. "Vjedhjet e çantave kryesisht me dhunë, janë bërë tepër shqetësuese për policinë. Çdo ditë inspektorët regjistrojnë denoncime nga qytetarë të cilët deklarojnë se persona të panjohur u kanë tërhequr me forcë çantën dhe më pas janë larguar me motorë",- thanë për "Shekullin" burime nga policia.

Krimi i rrugës

Krimet e rënda, si vrasje e plagosje janë ulur ndjeshëm kohët e fundit në Tiranë. Por ka vepra të tjera penale, të klasifikuara si krime rrugësh,të cilat kanë shqetësuar jo vetëm komunitetin, por edhe policinë. Vjedhjet e vogla janë kthyer në "tmerr" i qytetarëve, ku më të prekur janë subjektet private. Çdo ditë regjistrohen me dhjetëra vjedhje e tentativa vjedhjeje në gjashtë komisariatet e Tiranës. "Dyqanet, lokalet, apo edhe subjekte të tjera ku mjaft të ketë vetëm hekur, janë "shënjestrat" e hajdutëve. Çdo ditë kemi denoncime për vjedhje nga qytetarë të ndryshëm" -thanë burime zyrtare nga policia. Kjo e fundit, jo çdo vjedhje ka mundur të dokumentojë tërësisht, duke bërë që një pjesë e autorëve të jenë në liri për të vjedhur sërish qytetarët.

Hajdutët e mitur

Mirëpo edhe atëherë kur policia mund të identifikojë dhe të kapë autorët e vjedhjeve, detyrohet t'u marrë një deklarim atyre edhe më pas t'i lëshojë. Bëhet fjalë për të hajdutët e mitur, të cilët jo pak herë rezultojnë të jetë autorët e vjedhjeve të kryera në kryeqytet ku pasi shoqërohen vetëm pak orë në komisariat lihen të lirë për shkak të moshës së tyre të mitur. Liria i favorizon ata të inskenojnë të tjera vjedhje, për të cilat sërish shoqërohen nga policia dhe sërish lihen të lirë. Burime zyrtare nga policia thanë se vjedhjet e vogla janë tepër shqetësuese për kryeqytetin. "Pothuajse çdo ditë kryhen vjedhje. Hajdutët sulmojnë kudo, për celularë e portofola në linja urbane, çanta, motorë, dyqane, lokale, banesa, subjekte në ndërtim e sipër ku hajdutëve u nevojiten skrap, etj. Të paktën qytetarët kanë denoncuar vjedhje të tilla", -thanë burime konfidenciale për "Shekullin".Policia ka marrë një plan masash për parandalimin e vjedhjeve, duke bërë që kohët e fundit autorët të kapen jo për vjedhje, por për tentativë vjedhjeje, por sërish kjo vepër penale është tepër shqetësuese në Tiranë. Vitin e kaluar policia e kryeqytetit evidentoi 1442 vjedhje duke zbuluar 864 prej tyre. Ndërkohë, në katër muajt e parë të këtij viti, numri i vjedhjeve është rritur, në krahasim me të njëjtën periudhë të viti 2007, ndërsa sipas policisë, është rritur edhe forca zbuluese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›