E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia shqiptare, paraqitje dhe elegancë italiane në shërbim

Një uniformë e re, elegante, që ngjall seriozitet, e dizajnuar nga një firmë italiane dhe e ngjashme me atë të kolegëve të vendeve të Bashkimit Evropian. Është kjo veshja më e re “alla italiane” e policisë shqiptare. Krerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë vendosur që përveç reformave të ndryshme që i afrojnë ato me vendet e BE-së, të bëjnë të njëjtën gjë edhe në “look”. Kështu, pas disa muajsh, të gjithë agjentët e policisë nuk do të kenë më të veshura uniformat “e vjetra”, por do të kenë një paraqitje tërësisht të re, moderne dhe evropiane. Në bazë të planit të Policisë së Shtetit, ndryshime në paraqitje do të kenë edhe forcat speciale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, uniformat e të cilëve do të jenë të ndara nga njëra-tjetra. Gjithashtu, edhe gradat, dorashkat, stemat apo aksesorët e tjerë të uniformës janë realizuar me një tjetër “dizajn”, për të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka dhënë miratimin. Megjithatë, do të duhet edhe pak kohë, për të parë në rrugët e vendit policit modern e evropian. Kjo, pasi do të duhet të bëhet tenderi, që do të bëjë të mundur prodhimin e këtyre uniformave.

Uniformat e reja

Pas pjesëmarrjes dhe kontributit në këtë proces të specialistëve të të gjitha shërbimeve policore, por dhe historianëve, heraldistëve, etnografëve, pedagogëve të Universitetit Shtetëror, përfaqësuesve nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe të firmës dizajnuese italiane, u arrit që të përftohej uniforma e re, elegante dhe moderne për policinë shqiptare. Realizimi me sukses i tij synon që të plotësojë kërkesat e nevojshme për sa i përket anës funksionale, për të siguruar ruajtjen e shëndetit të punonjësit të policisë, gjatë kryerjes së detyrave, ndërhyrjeve apo stërvitjeve të ndryshme. Gjithashtu me rëndësi do të jetë prezantimi dhe përfaqësimi me dinjitet i vlerave e simboleve kombëtare, historike e tradicionale të popullit dhe të Policisë së Shtetit, të vlerave artistike, kulturore,e folklorike të kulturës sonë popullore. Iniciativa për realizimin e këtij procesi buron nga kërkesat e Ligjit Nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit” dhe domosdoshmërinë për një prezantim sa më dinjitoz, për përmirësimin e performancës së Policisë së Shtetit dhe të rritjes së anës funksionale të objekteve të uniformës.

Uniformat e vjetra

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë vendosi që të bënte uniforma të reja për punonjësit e policisë të këtij institucioni, pasi ato të vjetrat “nuk realizonin një paraqitje dinjitoze të punonjësit të policisë”. Sipas drejtuesve të këtij projekti, dizajnimi, modelimi dhe kostimi i uniformës së re, shenjave, emblemës, stemave dhe gradave për punonjësit e policisë, ka lindur si një domosdoshmëri dhe kërkesë e kohës. Në uniformat aktuale të policisë janë dalluar probleme e mangësi kryesisht në drejtim të paraqitjes së përgjithshme të saj. Kështu, cilësia e materialeve të përdorura për prodhimin e uniformës ka qenë e ulët. Gjithashtu, edhe modelimi dhe kompozimi i disa elementëve përbërës të uniformës, në veçanti shenjave, gradave, stemave, qoftë në drejtim të dizajnimit, por dhe materialit të prodhimit, nuk ishin në parametrat e kërkuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›