E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret gruan e kushëririt, e akuzonte për vrasjen e së ëmës

Një grua është vrarë ditën e djeshme nga kushëriri i burrit të saj, pasi akuzohej nga ky i fundit se i kishte vrarë të ëmën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Vaun e Dejës në Laç. 35-vjeçari Ndoç Mbrozi ka qëlluar me pistoletë disa herë në drejtim të Marie Mbrozit, duke e lënë atë të vdekur. Më pas autori është larguar për t’u fshehur në zonën përreth, për t’iu shmangur arrestimit nga policia. 35-vjeçari e akuzonte viktimën se i kishte vrarë të ëmën para dy muajsh. Sipas policisë, ishte pikërisht ky motivi që çoi në vrasjen e 56-vjeçares. Madje, ai kishte ardhur nga Greqia ku jetonte, për të marrë hak. Pas marrjes së njoftimit për vrasjen e 56-vjeçares, policia e rrethit të Shkodrës shkoi menjëherë në vendngjarje. Ata nisën nga kërkimet për kapjen e autorit, i cili arriti që t’u largohej në kohë dhe t’u shpëtonte prangave të uniformave blu.

Ngjarja

Paraditen e ditës së djeshme, 35-vjeçari Ndoc Brozi është drejtuar për tek shtëpia e kushëririt të tij. Në fillim ai ka nisur të debatojë me viktimën dhe më pas ka nxjerrë një pistoletë, me të cilën ka qëlluar disa herë në drejtim të 56-vjeçares. Pas kësaj, autori është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u drejtuar në zonën përreth për t’u fshehur. Krismat e pistoletës janë dëgjuar nga fqinjët e viktimës, të cilët menjëherë janë drejtuar për në shtëpinë e saj. Ata kanë gjetur nënën e 6 fëmijëve pa jetë. Menjëherë janë përpjekur që t’i japin ndihmën e parë viktimës, e cila ndodhej e mbuluar në gjak dhe kanë lajmëruar policinë.

Motivet

Sipas burimeve të policisë, arsyeja e vrasjes së 56-vjeçares është se autori besonte se ajo i kishte vrarë të ëmën para dy muajsh. Ndoc Brozi kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer nga Greqia, me planin për të marrë hak ndaj gruas së kushëririt të tij. Ai e ka realizuar atë dhe më pas ka arritur që t’i shpëtojë edhe arrestimit, duke u fshehur në zonën përreth. Policia njofton se është angazhuar në kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë. Nëna e autorit, Dake Broci, u gjet e plagosur në banjën e shtëpisë së saj para dy muajsh. Ajo kishte një prerje në fyt, e cila bëri që të humbte dhe jetën gjatë transportimit për në spital. Sipas hetimeve të policisë, rezultoi se e moshuara kishte vrarë veten. Por duket se ky version nuk është pranuar nga i biri i saj, Ndoc Broci, i cili akuzonte gruan e kushëririt, të cilën e vrau me pistoletë ditën e djeshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›