E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, policia 3 milionë lekë shpërblim për kapjen e agresorit të mjekut

Policia e Vlorës do të shpërblejë me tre milionë lekë personin që do të japë të dhëna për agresorin e plagosjes së mjekut Kosta Koçi. Vetë neurologu e ka kaluar gjendjen e vështirë dhe ka dhënë dëshminë e tij për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, ku ai u qëllua disa herë me thikë, duke marrë plagë të rënda. 65-vjeçari nuk ka arritur ta njohë personin që e qëlloi 12 herë më thikë. Falë ndërhyrjes së kolegëve të tij të spitalit të Vlorës, gjendja shëndetësore e mjekut është përmirësuar dhe ai ka mundur të dëshmojë për policinë rrethanat e ngjarjes. Mjeku deklaroi se autori i krimit kishte qenë një djalë zeshkan, rreth të 30-ave, i cili i kishte kërkuar të vizitonte një të afërme të tij. Pistat e hetimit të ngjarjes kanë të bëjnë me atë të profesionit të tij si mjek, por nuk përjashtohet as pista tjetër, ajo që lidhet me konflikte të mundshme të tij me persona të tjerë, për shkaqe që nuk bëhen ende të ditura. Mjeku neurolog, Kosta Koçi, 65 vjeç, u qëllua me thikë pardje pasdite në afërsi të klinikës së tij private, pranë poliklinikës së qytetit të Vlorës. Agresori iu afrua atij dhe pasi e takoi, nxori një thikë dhe e qëlloi atë 12 herë në trup. Goditjet i shkaktuan plagë të thella në qafë, duke dëmtuar edhe arterien kryesore. Kjo bëri që mjeku të kalonte një gjendje të rëndë shëndetësore. Megjithatë, falë ndërhyrjes së shpejtë të kolegëve të tij, ai arriti që të dilte nga gjendja e vështirë dhe jeta e tij të shpëtohej.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›