Gjenerali në gjyq: Dëshmoj lojërat e MEICO në Gërdec
Ndërmarrja MEICO, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ka kërkuar municione me tepër nga çmund ti ofronin Forcat e Armatosura për ti dërguar në Gërdec për demontim.Ky fakt u pohua në seancën e djeshme në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008 të kësaj fabrike, nga ish-komandanti i Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerali Zija Baja. Gjenerali Baja, i pandehur në proces, iu përgjigj dje pyetjeve të palëve. Në cilësinë e dëshmitarit, Baja tha se nuk kishte pranuar të firmoste një akt-marrëveshje të ofruar nga MEICO. MEICO kërkonte 16 mijë tonë municione me gëzhoja tunxhi. Ne kishim 6 mijë tonë. MEICO kërkonte që Komanda Mbështetëse të merrej me administrimin e municioneve në Gërdec. Gjithashtu kërkonte municione më shumë nga sa kishim kapacitetin. Kërkonte 200 tonë në ditë, tha Baja. Para gjykatës Baja tha se akt-marrëveshjen ia kishte kthyer MEICO-s të pafirmosur dhe më pas, në lidhje me pretendimet e tij për kundërshtitë ndaj saj, ia kishte paraqitur ministrit të Mbrojtjes dhe kreut të MEICO-s. U kam bërë disa herë kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm për mjete të tjera, tha Baja. Në lidhje me transportin e municioneve të ushtrisë drejt fabrikës së demontimit në Gërdec, gjenerali Baja tha se kishte zbatuar vetëm detyrat e tij funksionale, në përputhje me urdhrat e ministrit të Mbrojtjes. Për koston financiare të transportit, Baja u shpreh se ajo mbulohej nga Ministria e Mbrojtjes. Në Urdhrin 550 të datës 25 prill 2007 të Ministrisë së Mbrojtjes, ne (Komanda Mbështetëse), ngarkoheshim të bënim seleksionimin në depo të municioneve me përmbajtje tunxhi, ngarkimin në makina dhe transportimin në Gërdec. Nuk ka pasur fuqi punëtore. Ngarkimi është bërë nga ushtarët e batalionit të municioneve dhe nuk ka pasur shpenzime për ngarkimin. Meqë MEICO është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, qarkullimi i vlerave dhe shërbimi bëhet pa para. MEICO nuk është e tretë, por pjesë përbërëse e Ministrisë së Mbrojtjes. Në asnjë rast në historinë e Forcave të Armatosura, që kur është krijuar MEICO, nuk është bërë ndonjëherë transporti me para, pasi është detyrë e FA për ta realizuar atë, tha Baja. Gjithashtu, gjenerali u shpreh se çdo autokolonë me ngarkesë municionesh drejt Gërdecit ishte shoqëruar nga Policia Ushtarake. Duke përmendur rrezikshmërinë e municioneve, sasisë së municioneve jashtë përdorimit në depot ushtarake të vendit, Baja tha: Është fatkeqësi që ndodhi një tragjedi. Por ushtria ka bërë një punë nobel. Një punë paqësore. Për mua, vartësit e mi kanë kryer një punë shembullore.
Vizita në Gërdec
I pandehuri Zija Baja tha dje se kishte qenë në fabrikën e demontimit në Gërdec pas një telefonate që kishte pasur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Kam qenë në Gërdec në ditët e para të zbatimit të Urdhrit 550, dt. 25.4.07 të Ministrisë së Mbrojtjes. Më mori në telefon shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Më tha që kishte vërejtje për komandën tonë në raport me sasinë e municioneve që duhet të shkonte në Gërdec.
Armand Bajrami