E Shtunë, 31 Tetor 2026

I moshuari tenton të vrasë të riun

TIRANE – Një i moshuar ka tentuar të vrasë me armë zjarri një djalë 20 vjeç, me të cilin kishte debatuar për një lopë që po kulloste në pronën e tij. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, në fshatin Zall Mner të Tiranës, ku fillimisht autori ka debatuar me të dëmtuarin sepse bagëtia e këtij të fundit po kulloste në tokën e 65-vjeçarit Ram Basha. Pasi janë grindur për më shumë se 30 minuta me fjalë, Basha ka shkuar në shtëpi, ku ka marrë armën e gjahut dhe më pas ka qëlluar në drejtim të 20-vjeçarit Elez Elezi, të cilin e ka plagosur rëndë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit Nr. 5 e më pas edhe oficerë të seksionit kundër jetës dhe shëndetit, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendngjarjes, ndërsa i riu ishte transportuar nga të afërmit drejt Spitalit Ushtarak. Vetëm disa orë më pas, policia ka bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit si autor, Ram Basha, të cilit i është sekuestruar edhe arma e gjahut me të cilën ka plagosur të riun. I arrestuari akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, ndërsa ka rezultuar se armën e kishte me leje. Pasi është marrë në pyetje, i moshuari ka pranuar akuzën dhe ka shpjeguar rrethanat në të cilat kishte ndodhur ngjarja, nga ku rezultoi se shkak ishte bërë lopa e Elez Elezit, që ishte futur në pronën e tij. Mësohet se i plagosuri ndodhet në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, ku sipas mjekëve, e ka kaluar rrezikun për jetën, por ende nuk është marrë në pyetje nga hetuesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›