Policia, telashe me pijanecët
Policia austriake dhe ajo zvicerane është detyruar të ndalojë shumë tifozë që në dy ditët e para të EURO 2008. Sipas zëdhënësve zyrtarë, shkaku kryesor i arrestimeve është bërë konsumi i lartë i alkoolit nga tifozët, të cilët janë përplasur me grupet kundërshtare. Incidenti më serioz është regjistruar të shtunën në darkë në Klagenfurt, ku policia austriake është detyruar të arrestojë 17 tifozë, pas një përleshjeje mes gjermanëve dhe polakëve. Austriakët kanë ndërhyrë për të shmangur një përleshje masive, duke ditur mirë se dy tifozeritë e urrejnë njëra-tjetrën. "Dy grupe me nga 100 tifozë, shumë prej të cilëve në gjendje të dehur, filluan gjuajtjet me gotat plastike, ndaj u desh ndërhyrja e trupave të policisë për të shmangur një përleshje", shkruhej në deklaratën e policisë austriake. Ndërkohë, trazira ka pasur edhe në Bazel, sidomos për faktin se shumë nga tifozët në rrugët e qytetit ishin të dehur. Rreth 12 persona u dërguan në burgun e përkohshëm të qytetit, ndërsa 20 të tjerë u dërguan në qendrën e disintoksikimit, të ndërtuar posaçërisht për ata që e tejkalojnë me konsumin e alkoolit.