E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sverkos i lumtur për "gjuajtjen e gabuar"

Sulmuesi i Republikës Çeke, Vaçlav Sverkos, shënoi ndaj Zvicrës golin e tij të parë me kombëtaren. Por, 24-vjeçari nuk ngurroi të gjente gabimin në gjuajtjen që i dha tri pikët e para kombëtares së tij në EURO 2008. "Nuk ishte krejtësisht ajo që dëshiroja të bëja në atë moment. Dakord, topi përfundoi në rrjetë dhe gjithçka shkoi mirë. Por unë realisht dëshiroja ta gjuaja topin më lart", u shpreh futbollisti, që tashmë shihet si një hero në vendlindjen e tij.

Sverkos hyri në lojë si zëvendësues i Jan Koler, duke shënuar vetëm pas 15 minutash. Ndonëse në arenën ndërkombëtare ai ishte një emër krejtësisht i panjohur. Kjo ishte ndeshja e tretë për futbollistin me fanellën e Çekisë dhe fakti që ai shënoi golin e fitores e ka bërë ta cilësojë këtë si momentin më të bukur të karrierës së tij futbollistike. "Gjithçka ishte më e bukur, pasi tifozët tanë ishin pas portës ku shënova golin. Padyshim, ky është momenti më i bukur i karrierës sime futbollistike", tha futbollisti që u shpall golashënuesi më i mirë në kampionatin çek, ku vesh fanellën e Banik Ostravës. Megjithatë, ai nuk beson se do të zëvendësojë Jan Koler në formacionin titullar, por shpreson të gjejë hapësira edhe në ndeshjet e radhës. "Unë jam i lumtur, edhe për vetë faktin që jam këtu. Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të suksesshëm si skuadër. Personalisht më duhet të punoj shumë dhe të vrapoj shumë", deklaroi ai. Ndërkohë, golashënuesi më i mirë i Çekisë në historinë e saj, Jan Koler, beson se Sverkos mund të jetë surpriza e këtij Evropiani, ashtu si Milan Barosh katër vjet më parë. "A mund të ketë suksesin e Barosh? Përse jo?! Ai po kalon një formë të shkëlqyer", deklaroi Koler për shokun e tij të skuadrës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›