Rui Kosta: Kemi pasues të denjë
Ish-mesfushori i Portugalisë, Rui Kosta, mendon se "brezi i artë" i kësaj kombëtareje duhet të rrijë i qetë, pasi Skolari ka gjetur zëvendësues më se të denjë. "E shoh Portugalinë si një skuadër shumë të fortë. Nëse ata arrijnë të kthejnë talentin e tyre në një skuadër të fortë, besoj se mund të jenë më të mirët në Evropë", tha Rui Kosta. Mesfushori ka qenë pjesëtar i "brezit të artë", që prodhoi dy kombëtare të shkëlqyera U-20, të cilat fituan edhe Botërorin e moshave në vitet 1989 dhe 1991. "Portugalia filloi të forcohej me skuadrën e të rriturve në vitin 1996, duke u bërë më e qëndrueshme në fazën finale, më e përgatitur dhe më e respektuar nga kundërshtarët. Kjo erdhi nga ndryshimi i mentalitetit dhe punës me lojtarët e rinj, nga të cilët dolën në skenë emra si Nunjo Gomesh, Kuarezma, Simao dhe Kristiano Ronaldo. Tani Skolari dhe drejtuesit e tjerë të kombëtares po vazhdojnë këtë punë të shkëlqyer. Por është e rëndësishme që të gjithë lojtarët të mendojnë si skuadër dhe jo si individë. Kristiano Ronaldo është shumë i përqendruar, është më i miri në botë dhe dëshiron që të realizojë atë që pritet nga ai, pas një sezoni fantastik", përfundoi Rui Kosta.